Matiç kushtëzon : Dua kontratë të re në Man United

  • 31 January 2020 - 08:43
Matiç  kushtëzon : Dua kontratë të re në Man United

Mesfushori serb Nemanja Matic ka thënë se dëshiron të qëndrojë në Manchester United dhe se do t’i refuzojë ofertat e klubeve të tjera nëse Djajtë e Kuq ia zgjasin kontratën.

Nemanja Matic mund të largohet nga Old Traffordi si transferim i lirë në fund të sezonit nëse Manchester Unitedi vendos të mos ia rinovojë kontratë aktuale.

31-vjeçari ka qenë titullar në gjashtë ndeshjet e fundit të klubit në të gjitha garat dhe e shënoi golin e vetëm në fitoren 1:0 kundër Manchester Cityt, në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Carabao Cup, para se të ndëshkohej me karton të kuq.

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e cilësoi Maticin të jashtëzakonshëm në konferencën pas ndeshjen. Ish-mesfushori i Chelseat shpreson se Manchester Unitedi do ta shpërblejë për këtë formë të mirë.

“Unë kam kontratë deri në fund të sezonit. Jam në Carrington (qendra stërvitore e klubit) çdo ditë dhe jam i hapur për të folur nëse ata mendojnë se mund t’i ndihmojë klubit. Nëse jo, jeta vazhdon”, ka thënë Matic.

“Ende nuk janë hapur negociatat, por pozicioni im është i qartë. Është një kënaqësi ta përfaqësosh këtë klub. Unë kam ardhur këtu për të fituar dhe nëse ata duan që unë të qëndroj, natyrisht se do ta jap më të mirën time për të fituar”.

Matic ka të drejtë të nënshkruajë kontratë të parakohshme qysh tani për në fund të sezonit me cilindo klub në Evropë. Ai zbuloi se ka pasur oferta, por se prioritet e ka qëndrimin në Old Trafford.

(Kosova Sot Online )