Thiem mbresëlënës, arrin finalen e Australian Open

  • 31 January 2020 - 14:07
Thiem mbresëlënës, arrin finalen e Australian Open

Austriaku Dominic Thiem e ka vazhduar një javë të mrekullueshme me një tjetër paraqitje mbresëlënëse, duke e mposhtur Aleksander Zverevin në gjysmëfinale, për ta arritur finalen e Australian Open kundër Novak Djokovicit.

Dominic Thiem veçse ka luajtur dy herë në karrierën e tij në finale të Grand Slamls, duke u mposhtur në të dyja rastet nga njëri nga “treshja e madhe” e tenisit (Roger Federer, Rafael Nadal, Novak Djokovic).

Tani, ai do të bëhet gati për finalen e tij të tretë në Grand Slams, e cila po do të zhvillohet të dielën në Melbourne Park, dhe ai do të duhet sërish të përballet me njërin nga “treshja e madhe” e tenisit, serbin Djokovic.

Austriaku 26-vjeçar, i cili është i radhitur i pesti në ranglistën botërore, e mposhti gjermanin Aleksander Zverev, i radhitur i shtati në botë, në katër sete 3-6, 6-4, 7-6(3), 6-4 për ta arritur finalen e parë të Australian Open në karrierë.

Atë tani e pret takimi i së dielës me shtatë-herë kampionin e Australian Open, Novak Djokovicin, i cili është duke e kërkuar titullin e 17-të të Grand Slams në karrierë.

Roger Federer, të cilin Djokovici e mposhti në tri sete radhazi në gjysmëfinale, ka më së shumti tituj të Grand Slams (20), ndërsa ndiqet nga pas me 19 nga Rafael Nadali, të cilin Thiem e mposhti në çerekfinale.

Pasi i humbi dy finalet e French Open kundër Nadalit, Thiem tani do të tentojë ta marrë titullin e parë të një turneu të madh në karrierë. Për ta arritur këtë ai duhet ta mposhtë 32-vjeçarin Djokovic, që do ta bënte atë tenistin e parë jashtë “treshes së madhe” që fiton një titull të Grand Slams që nga US Open 2016, kur kishte triumfuar Stan Wawrinka. 

(Kosova Sot Online)