Mourinho tregon pse u largua Erikseni: Ai më tregoi se do të shkonte

  • 01 February 2020 - 08:36
Mourinho tregon pse u largua Erikseni: Ai më tregoi se do të shkonte

ose Mourinho thotë se Christian Eriksen ia kishte bërë menjëherë të ditur se nuk do të nënshkruante kontratë të re me Tottenhami, sapo portugezi e mori detyrën e trajnerit te klubi londinez pas shkarkimit të Mauricio Pochettinos.

Mesfushori danez Christian Eriksen e kompletoi transferimin e tij në Inter këtë javë, duke i dhënë fund karrierës shtatëvjeçare në Londër. Ai u detyrua të presë për transferimin e tij, pasi fillimisht e kishte shprehur dëshirën për t’u larguar në fund të sezonit të kaluar.

Edhe nëse s’do të largohej këtë muaj, ai do të largohej nga Tottenhami si transferim i lirë gjatë verës, pasi që e kishte bërë të qartë se s’do ta rinovonte kontratën e tij. Mourinho ka zbuluar se Erikseni ia kishte treguar planin e tij që kur ishin takuar për herë të parë.

“Ne e kemi ditur që një kohë të gjatë. Nuk kemi thënë asgjë sepse kishim marrëveshje morale me të. Por, që në ditën e parë kur erdha këtu, ai më tha se nuk do të nënshkruante kontratë të re”, ka thënë Mourinho.

“Unë tentova ta bindë Toby Alderweireldin të nënshkruajë kontratë të re dhe ai më tha se kishte dyshime, por Christian ma bëri të ditur se veçse e ka marrë vendimin dhe unë as që tentova t’ia ndryshojë mendjen. Nga ai moment, fillova ta ndërtoj skuadrën pa të”.

“Kjo është arsyeja pse s’kam luajtur shumë me të. Erikseni është një profesionist i mirë dhe ka respekt për klubin dhe bashkëlojtarët, mirëpo kur je në situatën e tij ka disa limite. Deri në ditën e fundit, ai tentoi t’i ndihmojë skuadrës së vet dhe ishte pozitiv në zhveshtore”.

(Kosova Sot Online )