Setien: Sytë më mbushen me lot kur e shoh Dembelen duke u stërvitur

  • 01 February 2020 - 11:11
Setien: Sytë më mbushen me lot kur e shoh Dembelen duke u stërvitur

Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, ka thënë se intensiteti me të cilin Ousmane Dembele stërvitet bën që atij t’i mbushen sytë me lot, pasi që beson se anësori francez do të jetë si prurje e re për skuadrën kur të kthehet nga lëndimi.

22-vjeçari nuk e ka pasur të lehtë që kur është transferuar në Barcelona nga Borussia Dortmundi, në vitin 2017, pasi që lëndimet dhe paraqitjet jokonsistente kanë bërë që ai të mos e plotësojë potencialin e tij në Camp Nou deri më tani.

Francezi ka qenë i limituar në vetëm nëntë paraqitje në të gjitha garat këtë sezon dhe s’ka luajtur që nga fundi i muajit nëntor për shkak të një problemi muskulor – lëndim ky që i është përsëritur disa herë që prej transferimit nga Gjermania.

Megjithatë, ai pritet të kthehet në skuadrën e Barcelonës brenda pak javëve dhe trajnerit të ri, Setien, i ka bërë përshtypje ajo që e ka parë nga Dembele gjatë seancave stërvitore.

“Nuk kemi folur ende me Dembelen. Si shumica e lojtarëve, edhe ai i ka disa gjëra të cilat mund t’i përmirësojë. Ju duhet ta mbani në mend se ata janë ende fëmijë të rinj. Përkushtimi i tyre, nga ajo që e kam parë, është i plotë dhe absolut”.

“Mua më mbushen sytë me lot kur e shoh kapacitetin dhe intensitetin me të cilin ai punon. Jemi të kënaqur me të, ai mund të jetë prurja jonë e janarit”.

“Ti nuk mund ta dish kurrë se çfarë do të ndodhë dhe ne gjithmonë mendojmë pozitivisht. Është e qartë se shërimi i tij do të jetë në të mirën tonë”.

Barcelona është e dyta në tabelën e La Ligës, me tre pikë më pak sesa Real Madridi, pas 21 ndeshjeve të zhvilluara këtë sezon. Skuadra e Setienit do të kthehet në fushën e lojës të dielën, me përballjen kundër Levantes në Camp Nou. 

(Kosova Sot Online)