Guardiola: Do të vlerësohem si dështak, nëse s’e fitoj Ligën e Kampionëve me Manchester City

  • 02 February 2020 - 08:35
Guardiola: Do të vlerësohem si dështak, nëse s’e fitoj Ligën e Kampionëve me Manchester City

Pep Guardiola mendon se njerëzit do ta quajnë dështak në Manchester City, nëse ai nuk ia del ta fitojë Ligën e Kampionëve gjatë qëndrimit në klubin nga Premierliga.

Ish-trajneri i Barcelonës i ka fituar pesë tituj të mëdhenj që prej se e mori drejtimin e skuadrës së City më 2016, përfshirë dy tituj të Premierligës në sezonet 2017/18 dhe 2018/19.

Megjithatë, atij i ka munguar suksesi në garat evropiane me Cityn deri tani. 

“Vitin e kaluar e patëm një sezon të jashtëzakonshëm, ama njerëzit thonë ‘por ti nuk e ke fituar Ligën e Kampionëve’”, tha Guardiola.

“Për këtë arsyeje unë do të gjykohem si dështim në këtë klub, nëse nuk e fitojmë Ligën e Kampionëve as në periudhën time të fundit këtu. E di këtë”, shtoi ai.

City nuk ka arritur asnjëherë të shkojë më larg se çerekfinalja në Ligën e Kampionëve nën udhëheqjen e Guardiolës dhe janë eliminuar nga Monaco, Liverpooli dhe Tottenhami në tri sezonet e fundit.

(Kosova Sot Online)