Dorëzohet Guardiola: Liverpooli i pakapshëm, s’ka që e zë më

  • 03 February 2020 - 12:41
Dorëzohet Guardiola: Liverpooli i pakapshëm, s’ka që e zë më

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, është dorëzuar përfundimisht në garë për titull në Premierligë, duke thënë se epërsia prej 22 pikëve e liderit, Liverpool, është tepër e lartë dhe si pasojë e paarritshme për skuadrën e tij kampione.

Skuadra e Guardiolës City bëri edhe një lëshim tjetër këtë fundjavë, pasi humbi 2:0 ndaj Tottenhamit, duke ia mundësuar Liverpoolit ta rrisë epërsinë në krye të Premierligës në plot 22 pikë pas 25 ndeshjeve.

Trajneri spanjoll nuk ka më shpresë që skuadra e tij mund të bëjë ndonjë gjë për ta mbrojtur titullin në ligën elitare angleze, kur kanë mbetur vetëm edhe 13 ndeshje për t’u zhvilluar.

Përqendrimi i tij tani është në Ligën e Kampionëve, FA Cup dhe Carabao Cup.

“Ata na kanë ikur larg, prandaj janë të pandalshëm. Kanë grumbulluar shumë pikë dhe ne kemi humbur shumë”, tha Guardiola.

“Synimet tona janë t’i fitojmë garat e mbetura dhe të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)