Interi dhe Milani, pranë marrëveshjes për stadiumin e ri

  • 04 February 2020 - 13:51
Interi dhe Milani, pranë marrëveshjes për stadiumin e ri

Nga një event bamirësie ku po merrte pjesë, kryetari i bashkisë së Milanos Giuseppe Sala foli edhe për projektin e stadiumit të ri, që kanë zhvilluar dy klubet e qytetit, por që nuk ka gjetur ende miratimin e autoriteteve vendore.

Sala tha se bisedimet kanë avancuar dhe se me modifikimet e bëra në projekt, ku është përjashtuar shembja e “San Siros”, palët janë më pranë një marrëveshjeje, që pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.

“Projekti i ri për stadiumin po më pëlqen dhe besoj se tani jemi pranë një marrëveshjeje. Nuk është problem bujarie, por duhet të respektojmë rregullat administrative të qytetit dhe t’i vëmë klubet në kushte të barabarta me të tjerë që duan të investojnë në projekte të rëndësishme në qytet”, deklaroi Sala.

Por kryebashkiaku i Milanos është një tifoz i “zjarrtë” i Interit dhe për këtë arsye nuk mund të rrinte pa komentuar derbin që pritet të zhvillohet të dielën në mbrëmje në “San Siro”, ndërsa deklaroi se i trembet shumë suedezit Ibrahimovic.

“Momentalisht Milani është në një formë të mirë dhe për më tepër kanë edhe Ibrën, ndaj duhet kujdes i veçantë. Derbi është një ndeshje rezultatin e të cilës nuk mund ta parashikosh, por ashtu si herët e tjera, nuk do të shkoj në stadium as të dielën në mbrëmje, pasi preferoj të vuaj në shtëpi, në divanin e sallonit tim”, tha numri 1 i qytetit të Milanos.Supersport.

(Kosova Sot Online)