Ronaldo s’kishte luajtur në një ndeshje, dy tifozët nga Koreja e Jugut marrin dëmshpërblim

  • 04 February 2020 - 14:26
Ronaldo s’kishte luajtur në një ndeshje, dy tifozët nga Koreja e Jugut marrin dëmshpërblim

Dy tifozë të futbollit nga Koreja Jugut kanë marrë dëmshpërblim prej 337 eurove për shkak se Cristiano Ronaldo nuk kishte luajtur asnjë minutë në ndeshjen miqësore të Juventusit kundër një skuadre të formuar me yjet e ligës koreane.

Gjithsej 60 mijë tifozë kishin shkuar në Stadiumin Olimpik në korrik të vitit të kaluar për ta përcjellë ndeshjen kundër Juventusit, me shpresën se do ta shihnin pesë-herë fituesin e Topit të Artë, Cristiano Ronaldon, duke luajtur.

Megjithatë, 34-vjeçari qëndroi në bankën rezervë deri në fund të ndeshjes, përderisa trajneri Maurizio Sarri më vonë kishte bërë të ditur se portugezi nuk mund të luante për shkak se kishte “lodhje muskulore”.

Tifozët në stadium ishin zemëruar që Ronaldon nuk po hynte në lojë dhe e kishin fishkëllyer portugezin, përderisa edhe e brohorisnin emrin e rivalit të tij të madh, Lionel Messit.

Shumë tifozë u larguan nga stadiumi para kohe dhe më shumë se dy  mijë tifozë të zemëruar i paditën organizatorët, The Fasta Inc, pasi që ata kishin thënë se Ronaldo do të luante të paktën 45 minuta në këtë ndeshje.

Tani që kanë kaluar disa muaj, mediat japoneze kanë bërë të ditur se një gjykatë në Japoni e ka urdhëruar The Fasta Inc t’i paguajë nga 337 euro dy tifozëve që e paditën. Një pjesë e parave është dëmshpërblim për mashtrim, ndërsa pjesa tjetër është për t’ia kthyer paratë e shpenzuara për biletë.

Ronaldo dhe bashkëlojtarët e tij në Juventus do të duhej ta kishin mbajtur edhe një takim për autografe dhe fotografi me tifozë para ndeshjes, mirëpo, pasi që aeroplani ishte vonuar, ky takim s’ishte zhvilluar fare dhe, për më tepër, edhe ndeshja kishte nisur me 58 minuta vonesë. 

(Kosova Sot Online)