“Për shkak të Ronaldos dhe Bale, unë goditjet e dënimit i gjuaja vetëm në stërvitje”

  • 04 February 2020 - 17:16
“Për shkak të Ronaldos dhe Bale, unë goditjet e dënimit i gjuaja vetëm në stërvitje”

Angel Di Maria e ka pranuar se fakti që ka luajtur përkrah Cristiano Ronaldos, Gareth Bale dhe Lionel Messit për klubin dhe kombëtaren, e ka detyruar atë të jetë i kufizuar në disa gjëra në fushën e lojës, si për shembull ekzekutimi i gjuajtjeve të lira.

Anësori argjentinas, tani pjesë e Paris Saint-Germain, ka zbuluar se gjatë kohës sa ishte në Real Madrid, gjuajtjet e lira i kishte goditur vetëm në stërvitje, sepse në lojë, këtë privilegj e kishin Ronaldo dhe Bale.

Ai, megjithatë, në Parces de Princes ka treguar se sa frytdhënës mund të jetë nga goditjet e dënimit.

Kjo mundësi i është mohuar kur ka luajtur për Argjentinën, për shkak të kapitenit Messi, dhe me Realin.

Por gjithsesi 31-vjeçari ka punuar zellshëm në këtë aspekt të lojës së tij. “Po, e bëj. Unë gjithmonë kam pasur në ekip njerëz si Cristiano (Ronald), Messi… në ekipin kombëtar, por edhe në Real Madrid dhe Manchester United, po ashtu.”

“Gjithmonë jam rrethuar nga lojtarë të cilësisë më të lartë, të cilët shënojnë shumë gola! Por kam mësuar pak nga pak. Njeriu kurrë nuk pushon së mësuari. Gjithmonë ka vend për përmirësim”, shtoi ai.

“Në Madrid, goditjet e dënimit i gjuaja vetëm në stërvitje sepse në lojë do ta bënin Cristiano ose Bale”, përfundoi ai. 

(Kosova Sot Online)