“Manchester Unitedi s’është më tërheqës për sulmuesit më të mirë në botë”

  • 04 February 2020 - 18:33
“Manchester Unitedi s’është më tërheqës për sulmuesit më të mirë në botë”

Kalimi i Odion Ighalos në Manchester United në ditën e fundit të afatit kalimtar të futbollistëve është dëshmi se ky klub nuk është më tërheqës për sulmuesit më të mirë të botës, sipas Idur Gudjohnsen.

Afati kalimtar i janarit u mbyll me Unitedin që u hodh në sulm dramatik në kërkim të një sulmuesi në orët e fundit, në mënyrë që t’i rrisë opsionet në sulm në mungesë të të lënduarit Marcus Rashford.

Ish-sulmuesi i Watfordit Ighalo përfundoi në United si lojtar i huazuar deri në fund të sezonit, pasi fillimisht klubi nga Premierliga kishte dështuar ta transferonte Erling Braut Haaland, i cili e zgjodhi Borussia Dortmundin, dhe Joshua Kingun e Bournemouth.

Gudjohnsen, ish-lojtar i Chelsea, ka thënë për Transfer Talk se Unitedi do të ketë vështirësi në blerjen e ndonjë sulmuesi të madh.

“Mendoj se asnjëri prej sulmuesve më të mirë në botë nuk është më i etur t’i bashkohet Manchester Unitedit”, tha ai.

 “Ighalo duhet të jetë njeriu me më fat në botë. Ka qenë në Kinë, larg Evropës ku askush nuk e ka parë për dy vjet e gjysmë që prej se u largua nga Watford dhe tani vjen në United si i huazuar”, shtoi ai.

“Uau. Kjo nuk ndodh. Kjo tregon se sa poshtë ka rënë Unitedi, sa mbrapa Liverpoolit, Manchester City dhe Chelseat ka mbetur”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)