Ballack e këshillon Havertz ta refuzojë Bayernin

  • 05 February 2020 - 10:28
Ballack e këshillon Havertz ta refuzojë Bayernin

Michael Ballack beson se ylli i ri i Bayer Leverkusenit, Kai Havertz, nuk është gati për një transferim në Bayern Munich, përkundër spekulimeve të vazhdueshme që e lidhin atë me kalimin te gjiganti i Bundesligës.

Kai Havertz, i cili është ende 20-vjeçar, po vazhdon të marrë vëmendje në Bundesligë këtë sezon, me katër golat dhe dy asistet që i ka regjistruar deri më tani.

Kjo formë e mirë vjen pasi ai i kishte shënuar 17 gola në ligën elitare gjermane gjatë sezonit 2018/19 për të tërhequr interesim nga disa klube të mëdha gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar dhe të këtij janari.

Bayerni e ka traditë t’i grumbullojë në skuadrën e vet të gjitha talentet më të mëdha të Gjermanisë dhe përderisa Havertz duket se i përshtatet kësaj tradite, Ballack beson se për të do të ishte shumë shpejt të transferohet këtë verë.

“Kur shkon në Bayern, ty të duhen edhe karakteristika të tjera për ta dëshmuar veten. Nuk mjafton vetëm të jesh i mirë në Bayern”, ka thënë Ballack, në një intervistë të dhënë për Sport1.

“Havertzit i duhet kohë  dhe fuqi për të qenë mentalisht i përgatitur për të pasur sukses në Bayern. Ai është ende në fazën e zhvillimit dhe ka ende disa gabime në lojën e tij”.

Mesfushori i ri ka kontratë me Leverkusenin deri në vitin 2022, ndërsa klubi i Bundesligë si kërkon 100 milionë euro për ta lënë atë të largohet para se t’i përfundojë kontrata.

(Kosova Sot Online)