Heroizmi i Hardenit ia jep Rockets fitoren kundër Hornets

  • 05 February 2020 - 10:28
Heroizmi i Hardenit ia jep Rockets fitoren kundër Hornets

James Hardenit iu nevojit vetëm edhe një kërcim për ta arritur një triple-double me 40 pikë të shënuara. Kjo superparaqitje e Hardenit bëri që Houston Rockets ta përmbysë rezultatin nga një deficit prej 15 pikësh dhe të fitojë me rezultat 125:110 kundër Charlotte Hornets, të martën në NBA.

Harden ishte i jashtëzakonshëm gjatë gjithë ndeshjes, mirëpo veçanërisht në çerekun e katërt, kur e mori në kontroll ndeshjen për Rockets. Ai e mbylli ndeshjen me 40 pikë, 12 asiste, nëntë kërcime dhe tri vjedhje të topit, përderisa Rockets triumfuan në mungesë të Russell Westbrookut dhe Clint Capeles – të dy të lënduar.

Danuel House Jr. e mbylli ndeshjen me 22 pikë dhe nëntë kërcime për Houston, ndërsa edhe P.J. Tucker kontribuoi me 13 pikë, 10 kërcime, tre asiste dhe tre vjedhje të topit.

Në anën tjetër, në skuadrën e Hornets më të mirët ishin Miles Bridges dhe Terry Rozier, që e mbyllën ndeshjen me nga 20 pikë.

Milwaukee Bucks 120 – New Orleans Pelicans 108

Giannis Antetokounmpo i regjistroi 34 pikë dhe 17 kërcime, përderisa mysafiri Milwaukee triumfoi kundër New Orleans falë epërsisë së marrë në çerekun e tretë.

Bucks ishin duke pësuar humbje për shumicën e pjesës së parë, e cila u mbyll me rezultat 61:58 për Pelicans, megjithatë Bucks i shënuan 18 pikë më shumë sesa kundërshtari në çerekun e tretë. Antetokoumpo i shënoi 16 pikë në këtë çerek.

Lojtari i zgjedhur për All-Star Brandon Ingram ishte më i miri te New Orleans me 32 pikë, ndërsa i riu Zion Williamson kontribuoi me 20 pikë (edhe pse ishte i saktë në vetëm 5 nga 19 tentimet e tij nga fusha).

Los Angeles Lakers 129 – San Antonio Spurs 102

LeBron James i shënoi 19 nga 36 pikët e tij në çerekun e katërt, duke ndihmuar që Los Angeles të kthehet fuqishëm nga një start i ngadaltë dhe ta mposhtë San Antonion.

Anthony Davis dhe Kyle Kuzma i shënuan nga 18 pikë, ndërsa Zouma i bëri edhe 12 kërcime në fitoren e parë të Lakers në shtëpi që nga vdekja e Kobe Bryant dhe tetë personave të tjerë më 26 janar, kur u rrëzua helikopteri me të cilin po udhëtonin.

DeMar DeRozan i shënoi 28 pikë dhe Bryn Forbes i shtoi 13 të tjera për Spurs, të cilët humbën edhe të hënën në Staples Arena, ku u përballen me Los Angeles Clippers. Spurs kanë pësuar disfatë në pesë nga shtatë ndeshjet e tyre të fundit.

Denver Nuggets 127 – Portland Trail Blazers 99

Nikola Jokic kontribuoi me 29 pikë, 13 kërcime dhe nëntë asiste, Jamal Murray i shënoi 20 pikë në kthimin e tij në skuadër pas dhjetë ndeshje dhe Denveri, me ndihmës e këtyre të dyve, arriti ta mposhtë Portlandin. Damian Lillard i shënoi 21 pikë për Portland, shifra e tij më e ulët që nga 9 janari, ndërsa CJ McCollum i shënoi 20. Kjo disfatë bëri që ecuria prej katër fitoreve radhazi të Trail Blazers të marrë fund.

(Kosova Sot Online )