Valencia i dërgon mesazh Iglahos, i cili ia mori numrin 25 në Man United

  • 05 February 2020 - 11:37
Valencia i dërgon mesazh Iglahos, i cili ia mori numrin 25 në Man United

Ish-mbrojtësi anësor i Manchester Unitedit, Antonio Valencia, ia ka dërguar një mesazh Odion Ighalos, pas lajmit se sulmuesi i ri i huazuar nga Djajtë e Kuq e ka marrë fanellën me numër 25, të cilën Valencia e mbante sa ishte në Old Trafford.

Manchester Unitedi i befasoi të gjithë me transferimin e sulmuesit të Shanghai Shenhuas në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit, duke e huazuar atë deri në fund të sezonit 2019/20.

Lëndimi i Marcus Rashfordit dhe dështimi për ta marrë një zëvendësues për Romelu Lukakun, pas transferimit të tij në Inter, i la Djajtë e Kuq me mungesa të vërejtshme në fazën e sulmit, duke bërë kështu që Manchester Unitedi të hidhet në merkato të janarit në kërkim për një sulmues.

Manchester United kishte qenë në bisedime për transferimin e Erling Haalandit nga RB Salzburgu, mirëpo adoleshenti norvegjez në fund iu bashkua Borussia Dortmundit, ku i ka shënuar tetë gola në katër ndeshjet e tij të para.

Pasi që nuk ishte siguruar asnjë sulmues tjetër deri në ditën e fundit të afatit kalimtar, Ole Gunnar Solskjaer dhe drejtuesit e Manchester Unitedi vendosën ta huazojnë Ighalon, përkundër që më parë ishin përfolur për transferimin e Danny Ings, Teemu Pukki dhe Islam Slimani.

Valencia, i cili i kaloi dhjetë vjet në Old Trafford dhe i fitoi dy tituj të Premierligës në mes të shumë të tjerëve, i ka uruar fat Ighalos në klubin e tij të ri dhe me fanellën që Valencia e kishte mbajtur më parë.

“Unë gjithmonë e kam parë fanellën me numër 25 si mundësi për të punuar përtej ëndrrave të mia. Ky ka qenë frymëzimi im dhe u bë fatsjellësi im. Tani të uroj ty shumë suksese me këtë fanellë, vëlla”, shkroi Valencia.

(Kosova Sot Online)