Neymari pret që Mbappe të bëhet ndër më të mirët në histori: E dua shumë atë

  • 05 February 2020 - 12:26
Neymari pret që Mbappe të bëhet ndër më të mirët në histori: E dua shumë atë

Ylli brazilian i Paris Saint-Germainit, Neymari, thotë se është një nder i madh për të të luajë përkrah francezit Kylian Mbappe, për të cilin beson se e ka kapacitetin të bëhet njëri ndër futbollistët më të mirë në histori, nëse vazhdon me të njëjtën formë.

Neymari dhe Kylian Mbappe shkuan në Parc des Princes bashkë në verën e vitit 2017, njëri nga Barcelona e tjetri nga Monaco, duke u bërë dy futbollistët më të shtrenjtë në histori të futbollit, transmeton Gazeta Express.

Mbappe i ka shënuar 82 gola në 105 paraqitjet e tij për Paris Saint-Germainin, duke e fituar epitetin e talentit më premtues në futbollin evropian, përderisa ka arritur ta ndihmojë edhe Kombëtaren e Francës ta fitojë Kupën e Botës 2018.

Koha e Neymarit në kryeqytetin francez ka qenë e dëmtuar nga lëndimet e shumta dhe problemet jashtë futbollit. Megjithatë, ai ka arritur t’i shënojë 66 gola në 73 paraqitjet e tij dhe tani është duke e kaluar formën e tij më të mirë në karrierë, sipas statistikave.

Në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të FIFA-s, braziliani foli për bashkëpunimin që ai e ka me Mbappen dhe e lavdëroi francezin për potencialin e tij. 

“Kylian është një fenomen. Ai e ka potencialin të bëhet njëri ndër lojtarët më të mirë në histori”, ka thënë Neymari.

“Ta kem atë bashkëlojtar është një nder i madh për mua. Ne e kuptojmë njëri-tjetrin shumë mirë në fushën e lojës dhe jashtë saj. E dua shumë atë”.

Kur u pyet se a është kjo skuadër aktuale e PSG-së skuadra më e fortë në të cilën ka luajtur ai në karrierë, Neymari u përgjigj: “Nuk do të them se është më e forta, por e ndiej një atmosferë më ndryshe dhe kam më shumë vetëbesim. Kjo më ndihmon shumë çdo ditë”.

(Kosova Sot Online)