Fury e zbulon metodën e çuditshme për t’i forcuar duart para meçit kundër Wilder

  • 05 February 2020 - 14:58
Fury e zbulon metodën e çuditshme për t’i forcuar duart para meçit kundër Wilder

Tyson Fury pretendon se zhytja e duarve të tij në benzinë për pesë minuta çdo ditë do t’ia forcojë atij duart për rimeçin kundër Deontay Wilderit.

Dy boksierët e kategorisë së peshave të rënda do të takohen për herë të dytë më 22 shkurt, pas një barazimi kontrovers në takimin e tyre të parë, para 14 muajve.

Këtë herë, Fury ka premtuar se do ta nokautojë kundërshtarin e tij. Si pjesë e përgatitjeve të tij për këtë, ai e ka gjetur një metodë të çuditshme përmes së cilës beson se do t’i forcohen duart.

“Unë po flisja me një boksier të vjetër legjendar që quhet Big Joe Joyce. Ai më tregoi se nëse i zhyt duart në benzinë, ato forcohen”, ka thënë Fury, në një intervistë të dhënë për Gareth Davies.

“Kështu që, për këtë meç, kam qenë duke i zhytur duart në benzinë për pesë minuta çdo ditë, gjatë tri ose katër javëve të fundit, në mënyrë që t’i forcojë ato shumë. Kjo metodë pati sukses për të, kështu që po e provoj edhe unë”.

Fury e kishte dominuar një pjesë të madhe të meçit të parë, që ishte paraqitja e tij e parë në ring pas një pushimi trevjeçar, mirëpo pësoi nokdaun dy herë nga amerikani – në rundin e nëntë dhe në atë të 12-të.

“The Gypsy King” ende beson se ai kishte bërë mjaftueshëm për ta fituar atë meç e jo për ta barazuar, mirëpo këtë herë 31-vjeçari dëshiron ta nokautojë kundërshtarin, në mënyrë që fati i tij të mos varet nga gjyqtarët.

“Do ta vë në gjumë brenda dy rundeve. Vazhdimisht ëndërroj për rundin e dytë. Po luaj poker dhe më dorëzohet karta me numër dy. Ai do të nokautohet në rundin e dytë, jam 100 për qind i sigurt”, tha Fury. 

(Kosova Sot Online)