Zidane, për krizën në Barcelonë: Ata do të jenë konkurrentë deri në fund

  • 05 February 2020 - 15:33
Zidane, për krizën në Barcelonë: Ata do të jenë konkurrentë deri në fund

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane është i sigurt se kriza institucionale në Barcelona nuk do të ketë ndikim në lojën e katalonasve, nga të cilët pret të jenë konkurrentë deri në ditën e fundit të sezonit.

Barcelona ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë orëve të fundit, shkaku i një reagimi të kapitenit argjentinas Lionel Messit ndaj drejtorit sportiv të Barcelonës, Eric Abidalit.\

Abidali tha në një intervistë të fundit se disa lojtarë nuk kishin punuar aq sa duhej dhe kjo kishte çuar deri te shkarkimi i trajnerit Ernesto Valverde.

Messi ia ktheu kritikat francezit në një postim të së martës në Instagram, ku kërkoi që drejtuesit ta marrin përgjegjësinë ashtu siç bëjnë lojtarët kur humbasin apo luajnë keq. Messi gjithashtu shtoi se ose duhet të përmenden emra të lojtarëve kur bëhen akuza të tilla, ose të mos thuhen fare.

Zidane nuk beson se Real Madridi do të ketë mundësi ta shfrytëzojë këtë krizë në Barcelonë për ta rritur epërsinë në krye të tabelës së La Ligës, pasi që thotë se Barcelona do të vazhdojë njëjtë në fushën e lojës.

“Nuk i komentoj klubet e tjera. Barcelona do të jetë konkurrente deri në ditën e fundit të sezonit. Skuadrat e mira nuk ndryshojnë befasisht, ato janë gjithmonë të mira. Sa i përket të tjerave, thjesht s’më intereson”, ka thënë Zidane.

“Ne nuk do ta shfrytëzojmë asnjë moment të tillë sepse ata nuk do të dëshmojnë asnjë dobësi. Ata do të vazhdojnë të garojnë dhe t’i bëjnë gjërat ashtu siç duhet deri në fund të sezonit. Ne do të bëjmë punë të mirë. Jemi të lumtur, por s’kemi fituar ende asgjë”.

Kapiteni i klubit, Messi, foli me zëvendëskapitenët – Sergio Busquets, Gerard Pique dhe Sergi Roberto, pas reagimit të tij ndaj Abidalit dhe ata i thanë se ai e ka përkrahjen e lojtarëve.

Pas kësaj situate që e bën të qartë se marrëdhënia e Abidalit me lojtarët nuk është aspak e mirë, drejtori sportiv do të mbajë takim urgjent me presidentin e klubit, Josep Maria Bartomeun, të mërkurën. 

(Kosova Sot Online)