Man City nxit spekulimet, shpërndan lajmin për transferimin e Messit

  • 06 February 2020 - 16:36
Man City nxit spekulimet, shpërndan lajmin për transferimin e Messit

Faqja zyrtare e Manchester Cityt në Twitter i ka nxitur spekulimet për një transferim potencial të Lionel Messit nga Barcelona, pas spekulimeve se argjentinasi mund t’i bashkohet klubit anglez në fund të këtij sezoni.

Zënka e fundit e Lionel Messit me drejtorin sportiv të Barcelonës, Eric Abidalin, ka bërë që Manchester City të fillojë ta monitorojë situatën e tij, me shpresën se do të arrijë ta transferojë, sipas ESPN.

Argjentinasi e ka një klauzolë në kontratën e tij me Barcelonën që do ta lejonte atë të largohej më 30 qershor të çdo viti edhe pa dëshirën e klubit, përkundër që kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2021.

Mediat angleze raportuan sot se Manchester City beson se do të jetë favorit për ta arritur transferimin e Messit, nëse ky i fundit vendos të largohet nga Camp Nou, për shkak të lidhjes së tij të mirë me trajnerin e klubit anglez, Pep Guardiolën.

Messi e kishte kaluar periudhën e tij më të suksesshme në karrierë gjatë kohës sa Guardiola kishte qenë trajner i Barcelonës, kur katalonasit kishin thyer rekord duke i fituar gjashtë titujt e mundshëm brenda një sezoni.

Këto spekulime tash janë nxitur edhe më shumë shkaku i postimit të fundit të Manchester Cityt në rrjetin social Twitter, ku e ka shpërndarë lajmin për transferimin potencial të Messit.

“City, favorit për ta marrë Messin nëse ai largohet nga Barcelona”, është titulli i DailyMail, lajm ky që Manchester City e ka shpërndarë jo vetëm në Twitter, por edhe në faqen e vet zyrtare.

(Kosova Sot Online)