Setien, pas eliminimit të Barcelonës nga Kupa e Mbretit: E bëmë një hap përpara

  • 07 February 2020 - 09:25
Setien, pas eliminimit të Barcelonës nga Kupa e Mbretit: E bëmë një hap përpara

Trajneri Quique Setien thotë se Barcelona e bëri një hap përpara kundër Athletic Bilbaos të enjten në mbrëmje, përkundër që u eliminua nga Kupa e Mbretit me disfatë 1:0 në fazën çerekfinale.

Inaki Williams e shënoi një gol me kokë në momentet e fundit të ndeshjes që po zhvillohej në stadiumin San Mames, duke e eliminuar Barcelonën nga Kupa e Mbretit dhe duke ia vazhduar katalonasve problemet në ndeshjet jashtë shtëpisë.

Që kur Setien e ka marrë postin e trajnerit, Barcelona për pak sa s’ishte mposhtur nga Ibiza, ka humbur kundër Valencias dhe tani u mposht nga Bilbao – mirëpo ai u shpreh i sigurt se skuadra po përmirësohet.

“Duke e marrë parasysh se çfarë na ka ndodhur në ndeshjet e tjerë si mysafirë, ne e bëmë një hap përpara në aspektin se si duhet të përmirësohemi”, tha Setien, në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

“Është e njëjta si gjithmonë; ka ditë kur e ke vetëm një rast dhe shënon dhe ka ditë kur i ke dhjetë raste dhe s’mund të shënosh. Nuk ka sqarim të arsyeshëm”.

“Unë s’kam ditur kurrë se çka ose kënd duhet ta fajësoj. Goli i tyre erdhi nga një aksion që nuk ishte i rrezikshëm. Ka disa gjëra që s’mund të kontrollohen dhe kjo është njëra ndër to”.

“Gjithçka shkoi mirë, përveç rezultatit. Jam i lumtur me punën e skuadrës”. 

(Kosova Sot Online)