Vinicius i komenton spekulimet për një transferim në PSG

  • 07 February 2020 - 10:31
Vinicius i komenton spekulimet për një transferim në PSG

Sulmuesi i Real Madridit, Vinicius Junior i ka mohuar spekulimet se ai do të transferohet në Paris Saint-Germain gjatë afatit kalimtar të verës, duke insistuar se dëshiron të qëndrojë edhe më tutje në Santiago Bernabeu.

Vinicius ishte përfolur për një transferim të mundshëm në Paris Saint-Germain gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi drejtori sportiv i klubit francez, Leonardo, raportohej se është tifoz i madh i bashkëkombësit të tij brazilian.

Megjithatë, Vinicius nuk e ka në plan të largohet nga gjiganti madrilen as në fund të këtij sezoni, pasi që dëshiron të vazhdojë edhe më tutje në Santiago Bernabeu, ku 19-vjeçari u transferua në vitin 2018.

Duke folur pas disfatës tronditëse të së enjtes me rezultat 4:3 kundër Real Sociedadit, në çerekfinale të Kupës së Mbretit, Vincius insistoi se transferimi s’ishte opsion për të.

“Nuk ka opsion tjetër për mua, dua të qëndroj në Madrid”, tha sulmuesi brazilian. 

(Kosova Sot Online)