Handanovic rrezikon lëndim serioz, por insiston të luajë në derbin kundër Milanit

  • 07 February 2020 - 11:31
Handanovic rrezikon lëndim serioz, por insiston të luajë në derbin kundër Milanit

Portieri Samir Handanovic dëshiron të luajë në Derby della Madonnina kundër Milanit përkundër që e ka një thyerje të lehtë në gisht. Megjithatë, nëse luan, ai rrezikon të ketë nevojë për t’u bërë operacion.

Ndeshja mes Milanit dhe Interit do të zhvillohet të dielën në orën 20:45. Interi ka treguar formë dukshëm më të mirë sesa rivali i qytetit këtë sezon, megjithatë edhe kuqezinjtë janë këndellur që nga ardhja e Zlatan Ibrahimovicit.

Portieri slloven mungoi në fitoren e fundjavës së kaluar me rezultat 2:0 kundër Udineses, pasi që e pësoi një lëndim në gishtin e vogël të dorës së majtë gjatë një seance stërvitore, para kësaj ndeshjeje.

Mediumet italiane sot raportojnë se Handanovici dhe Interi do të tentojnë gjithçka për ta pasur në fushën e lojës portierin 35-vjeçar. Ai planifikon ta mbajë një mbrojtëse mbi gisht, mbi dorëzën e portierit.

Megjithatë, ky plan është i rrezikshëm, pasi që gazeta Corriere dello Sport paralajmëron se çfarëdo goditje në gishtin e tij mund t’ia përkeqësojë lëndimin dhe ai mund të ketë nevojë të bëhet operacion.

Tommaso Berni është i suspenduar pasi që ai u ndëshkua me karton të kuq sa ishte në stol për sjellje të keqe, kështu që opsioni i vetëm i mbetur është Daniele Padelli.

Padelli luajti për Interin në ndeshjen e fundjavës së kaluar kundër Udineses, mirëpo ajo ishte ndeshja e tij e parë në Serie A që nga gushti i vitit 2016. 

(Kosova Sot Online)