Guendouzi: Askush s’më njihte kur erdha në Arsenal

  • 07 February 2020 - 15:40
Guendouzi: Askush s’më njihte kur erdha në Arsenal

Matteo Guendouzi e pranon se kishte ardhur në Arsenal si “i panjohur”, megjithatë tani ai është duke u mësuar me presionin dhe pritjet e tifozëve të cilat e kanë shoqëruar ngritjen e tij të shpejtë në karrierë.

“Topçinjtë” i shpenzuan shtatë milionë euro për ta transferuar talentin adoleshent Matteo Guendoizui gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2018.

Guendouzi kishte qenë duke luajtur në Ligue 1 para se të arrinte te klubi londinez. Përkundër presionit që sjell kalimi në një ligë më të madhe si Premierliga, francezi u përshtat mirë dhe u bë kyç në planet e Unai Emeryt.

Edhe trajneri i ri, Mikel Arteta, i ka gjetur atij vend si titullar në formacionin e Arsenalit. 20-vjeçari tani është i uritur ta dëshmojë se e meriton besimin që e ka marrë si brenda, ashtu edhe jashtë fushës.

“Tifozët presin gjëra të tjera nga unë tani . Në fillim, vitin e kaluar, unë arrita si lojtar i ri, i cili ishte i panjohur dhe sapo kishte ardhur në ligë”, ka thënë Guendouzi, në një intervistë të dhënë për Arsenal Player.

“Pastaj, paraqitjet e mia të mira në fillim të vitit të kaluar ishin diçka e re, por unë ende shihesha si lojtar i ri të cilin tifozët nuk e njohin. Tani, unë ua kam dëshmuar atyre se çfarë mund të bëj”.

“Unë e kam dëshmuar se mund ta ndihmoj skuadrën shumë. Kështu që është normale që ata të presin shumë më shumë nga unë, veçanërisht pasi që luajta në shumë ndeshje sezonin e kaluar”.

“Që nga fillimi i këtij sezoni, unë kam qenë titullar në disa ndeshje, kështu që të është normale që ata të presin shumë nga unë. Në çdo rast, unë gjithmonë do të tentoj t’i kaloj pritshmëritë kur të jam në fushë”.

“Jam edhe më i mirë sesa që isha sezonin e kaluar. Synimi është që të vazhdoj të përmirësohem gjithmonë dhe këtë gjë do ta bëj edhe në vitet në vazhdim në mënyrë që të jem sa më i mirë që të jetë e mundur”.

Guendouzi i kishte bërë 48 paraqitje në të gjitha garat për Arsenalin në sezonin e tij debutues, ndërsa këtë sezon ka luajtur në 29 ndeshje deri më tani. 

(Kosova Sot Online)