Agjenti i Jorginhos: S’mund t’i thuash jo Juventusit

  • 08 February 2020 - 12:31
Agjenti i Jorginhos: S’mund t’i thuash jo Juventusit

Agjenti i mesfushorit të Chelseat Jorginhos ka thënë se futbollisti mund të largohet nga klubi londinez gjatë afatit kalimtar të verës dhe se nuk do të mundë ta refuzonte Juventusi. Megjithatë, agjenti ka insistuar se ai do të dëgjojë oferta edhe nga klubet franceze dhe angleze.

Ish-mesfushori i Napolit e kishte ndjekur trajnerin Maurizio Sarri në Stamford Bridge dhe qëndroi në skuadër edhe nën Frank Lampardin, duke i fituar edhe zemrat e tifozëve që në fillim e kishin kritikuar.

“Gjithçka mund të ndodhë në afat kalimtar. Unë i thashë “pse jo?” Juventusit sepse Jorginho ka kontratë trevjeçare me Chelsean, kështu që prioriteti është qëndrimi aty, mirëpo ne do ta shqyrtojmë edhe mundësinë e largimit nga klubi në korrik”, ka thënë agjenti Joao Santos.

“Në atë rast, nëse do largohemi, atëherë do t’i shqyrtojmë ofertat nga Italia, Franca dhe Anglia. Pse të jetë i pamundur kalimi në Juventus? Është klubi më i rëndësishëm në Itali, klubi që ka fituar më së shumti në vitet e fundit. S’do t’i thoshim jo Juventusit”.

Emërimi i Sarrit në pozitën e trajnerit të bardhezinjve i kishte nxitur fillimisht spekulimet se edhe Jorginho do të kalonte së shpejti në Allianz.

“Është e natyrshme sepse Sarri ishte trajneri i Jorginhos edhe në Napoli e edhe në Chelsea. Lojtari ishte kyç në taktikat e tij gjatë katër vjetëve të fundit, e njeh në detaje sistemin e tij të lojës dhe për këtë arsye kanë nisur spekulimet”, vazhdoi përfaqësuesi i Jorginhos.

“Nëse Juventusi, që veçse e ka një skuadër mjaft të mirë, do të kishte nevojë për të dhe Chelsea do të ishte i gatshëm ta shesë, ne do ta shqyrtonim këtë mundësi, pa asnjë dyshim. Pastaj do të varej nga dy klubet për ta arritur marrëveshjen”.

“Askush nga Juventusi, as tani e as në të kaluarën, s’më ka kontaktuar për të folur për Jorginhon. Klubi duhet të flasë me Chelsean së pari, pasi që bisedat me mua nuk do ta ndryshonin situatën shumë”.

(Kosova Sot Online )