Prishtina e arrin gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës, Otto John vendimtar

  • 08 February 2020 - 15:07
Prishtina e arrin gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës, Otto John vendimtar

Prishtina ka arritur ta sigurojë kualifikimin në fazën gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës, pasi që siguroi fitore me rezultat 4:1 në përballjen çerekfinale kundër Vushtrrisë, që u zhvillua në stadiumin Fadil Vokrri,

Pas më shumë se dy muajve pushim dimëror, sot u kthye futbolli kosovar. Ky kthim në fushën e blertë rezultoi i mirë për Prishtinën, por i doli i hidhur skuadrës së Vushtrrisë, e cila e nisi stinorin pranveror me humbje.

Prishtina kaloi në epërsi kundër Vushtrrisë qysh në minutën e dytë të ndeshjes , kur Ermal Krasniqi shënoi nga pika e penalltisë, të cilën e fitoi Otto John pasi që iu bë një ndërhyrje brenda 16-metërshit nga Etrit Halimi.

Otto John u tregua vendimtar për Prishtinën edhe në minutën e 26-të të ndeshjes, kur arriti ta shënojë një gol të bukur dhe ta dyfishojë epërsinë e kryeqytetasve.

Pak momente para se të mbyllej pjesa e parë në Fadil Vokrri, Vushtrria e ngushtoi epërsinë e bardhekaltërve përmes golit të shënuar nga Drilon Fazliu.

Goli i Fazliu ia dha zemër Vushtrrisë ta synojë barazimin dhe fitoren, megjithatë kjo nuk zgjati shumë pasi që Prishtina arriti të shënojë sërish në minutën e 73-të përmes Ergyn Ahmetit dhe në minutën e 79-të përmes Otto John, i cili e shënoi golin e tij të dytë në këtë ndeshje si dhe e kishte fituar penalltinë e shënuar nga Krasniqi.

Sot u zhvillua edhe ndeshja tjetër çerekfinale mes Drenicës dhe Gjilanit.

(Kosova Sot Online)