Rashkaj, pasi u zyrtarizua te klubi i ri: Jam shumë i lumtur, mezi po pres t’i tregoj aftësitë e mia

  • 08 February 2020 - 15:28
Rashkaj, pasi u zyrtarizua te klubi i ri: Jam shumë i lumtur, mezi po pres t’i tregoj aftësitë e mia

Ish-kapiteni i ekipit kombëtar të Kosovës, Anel Rashkaj, është zyrtarizuar të shtunën si lojtari më i ri i klubit finlandez, Seinajoki. Ai është shprehur i lumtur për këtë transferim dhe ka thënë se mezi po pret ta dëshmojë veten.

Anel Rashkaj do të vazhdojë karrierën e tij në Finlandë me Sinajokin, ku u zyrtarizua sot pas largimit nga kampionati i Suedisë, ku ishte pjesë e skuadrës Eskilstuna.

Eskilstuna kishte përfunduar në pozitën e fundit në kampionatin e vitit të kaluar të Suedisë dhe sapo përfundoi sezoni, kontrata e Anel Rashkajt me ta përfundoi.

Në një intervistë për Football Channel në nëntor, 30-vjeçari kishte thënë se gjithçka mund të ndodhë dhe se ai vetëm është në pritje për ta parë se çfarë do të ndodhë.

Ajo që po e priste ndodhi sot, pasi që Rashkaj u prezantua nga klubi finlandez SJK Seinajoki.

“Jam shumë i lumtur që kam arritur marrëveshje me SJK. Gjithçka duket se është shumë profesioniste këtu dhe unë kam dëgjuar shumë për këtë skuadër. Mezi po pres t’i tregoj aftësitë e mia dhe premtoj se do të punoj shumë çdo ndeshje”, ka thënë Rashkaj.

I lumtur me këtë prurje në skuadër është shprehur edhe drejtori teknik i klubit finlandez, Richard Dorman.

“Aneli ka shumë vite përvojë dhe profili i tij përshtatet mirë me mesfushën tonë. Ai mund të luajë në disa pozita të ndryshme dhe do të jetë një prurje shumë interesante në skuadrën tonë”.

(Kosova Sot Online)