Sulmohet me gurë autobusi i KB Bashkimit në Pejë

  • 08 February 2020 - 22:52
Sulmohet me gurë autobusi i KB Bashkimit në Pejë

Një incident ka ndodhur sonte në sportin kosovar.

Klubi i basketbollit Bashkimi është ankuar se autobusi që e bart ekipin prizrenas është sulmuar me gurë në Pejë pas ndeshjes me Verdhezinjtë, të cilët e fituan derbin e kësaj xhiroje me rezultat 101:80.

Mirëpo, rezultati doli në plan të dytë pas sulmit fizik ndaj autobusit, ani pse ai ishte nën përcjellje të Policisë.

Kjo është hera e dytë që prizrenasit sulmohen këtë sezon.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e KB Bashkimit:

Sulm me gurë në autobusin e lojtarëve

Autobusi që bartë lojtarët tanë është sulmuar me gurë nga disa persona pas ndeshjes në dalje të qytetit të Pejës.

Gurët e hudhura kanë dëmtuar pjesën e përparme dhe anësore të autobusit, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur pasoja tek lojtarët dhe ekipi.

Sulmi ka ndodhur derisa autobusi i ekipit ka qenë i përcjellur nga policia, e cila menjëherë ka bërë raportimin e rastit.

Kjo është hera e dytë që sulmohet autobusi i ekipit tonë, pasi që më parë kishte ndodhur një incident të tillë edhe në Mitrovicë.

Ftojmë Federatën e Basketbollit të Kosovës që t’i ketë parasysh këto rastet dhe të merr masat e duhura për parandalimin e sulmeve të tilla edhe në të ardhmen.

Aktet e tilla nuk i përkasin basketbollit dhe duhet të dënohen menjëherë!


(Kosova Sot Online)