Sarri: Juventusi im i cekët duhet të ndryshojë

  • 09 February 2020 - 08:41
Sarri: Juventusi im i cekët duhet të ndryshojë

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, e ka pranuar se skuadra e tij e ka një problem që i duhet patjetër ta rregullojë, duke thënë se kampioni në fuqi po falë pikë për shkak të qasjes së cekët, pas humbjes 2:1 nga Hellas Verona.

Bardhezinjtë e pësuan humbjen e tretë në Serie A këtë sezon, pas atyre ndaj Napolit dhe Lazios, por mbi të gjitha ishin në epërsi falë golit të Cristiano Ronaldos dhe e lëshuan atë duke i pranuar dy gola brenda 10 minutave.

Fabio Borini dhe Giampaolo Pazzini shënuan golat e fitores së skuadrës së Veronës, për të cilën Marash Kumbulla i Shqipërisë dhe Amir Rrahmani i Kosovës luajtën titullarë. 

Një problem brenda kampionit në fuqi është duke u zhvilluar, duke qenë se Juve i ka humbur tri nga pesë ndeshjet e fundit në udhëtim në Serie A.

“Është e qartë se ne bëjmë paraqitje ndryshe dhe kemi tjera rezultate në udhëtim krahasuar me ndeshjet në shtëpi. Ishte një ndeshje e vështirë, ne e dinim se do të ishte dhe se Verona do të na bënte të vuanim”, tha Sarri.

“Ne nuk mund të lëshojmë pikë nga gabime aq të lehta. Goli i parë ishte i pashpjegueshëm dhe nëse duam që Juventusi të fitojë ndeshje, atëherë nuk mund të bëjmë gabime që shkaktohen nga qasja e cekët”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)