Flet Ronaldo, pas humbjes që ia shkaktuan Rrahmani e Kumbulla me shokë

  • 09 February 2020 - 09:13
Flet Ronaldo, pas humbjes që ia shkaktuan Rrahmani e Kumbulla me shokë

Cristiano Ronaldo ka thënë se Juventusi duhet të vazhdojë të punojë zellshëm, në mënyrë që t’i arrijë synimet, pas humbjes 2:1 ndaj Hellas Veronës së Amir Rrahmanit dhe Marash Kumbullës – e cila ia rrezikon vendin e parë në renditjen tabelore në Serie A.

Bardhezinjtë e pësuan humbjen e tretë në Serie A këtë sezon, pas atyre ndaj Napolit dhe Lazios, por mbi të gjitha ishin në epërsi falë golit të Cristiano Ronaldos dhe e lëshuan atë duke i pranuar dy gola brenda 10 minutave.

Fabio Borini dhe Giampaolo Pazzini shënuan golat e fitores së skuadrës së Veronës, për të cilën Marash Kumbulla i Shqipërisë dhe Amir Rrahmani i Kosovës luajtën titullarë. 

Ronaldo mund të jetë i kënaqur në nivel personal, sepse me golin e mbrëmshëm ai shkroi më shumë histori në fanellën bardhezi, duke u bërë lojtari i parë që shënon në 10 ndeshje radhazi për Juventusin.

Por, sulmuesi portugez është shprehur i pakënaqur me rezultatin përfundimtar të takimit, i cili nënkupton se nëse Interi e mund Milanin në derbin italian, atëherë Juve do të bjerë në pozitën e dytë.

“Ky nuk ishte rezultati që ne e deshëm, por ne duhet të vazhdojmë të punojmë fort për t’i arritur synimet tona”, shkroi Ronaldo në Instagram.

(Kosova Sot Online)