Ballkani në gjysmëfinale të kupës, pas fitores ndaj Dukagjinit

  • 09 February 2020 - 14:36
Ballkani në gjysmëfinale të kupës, pas fitores ndaj Dukagjinit

Ballkani e ka siguruar një vend në mesin e katër skuadrave më të mira në Kupën e Kosovës, pasi e mundi lehtësisht 2:0 Dukagjinin të dielën në takimin çerekfinal.

Blendi Baftiu dhe Artur Magani shënuan nga një herë në pjesën e dytë në çerekfinalen e zhvilluar në Klinë.

Ballkani i bashkohet Drenicës dhe Prishtinës në fazën gjysmëfinale, e cila do të kompletohet pas duelit të fundit çerekfinale mes Lirisë dhe Feronikelit. 

Pas një pjesë të parë pa gola, skuadra nga Suhareka e theu akullin dy minuta brenda pjesës së dytë kur talenti Baftiu realizoi për 1:0 pas asistit nga Besnik Krasniqi.

Magani e dyfishoi epërsinë në minutën e 58-të, duke e futur topin në rrjetë nga afërsia pas një rivënie nga këndi.

Takimi i fundit çerekfinal mes Lirisë dhe Feronikelit do të zhvillohet të mërkurën dhe më pas do të hidhet shorti për çiftet gjysmëfinale.

Përvec trofeut, gara e Kupës së Kosovës ka një rëndësi të madhe edhe për faktin se fituesi siguron një vend në kualifikime për pjesëmarrje në garat evropiane.

(Kosova Sot Online)