Coutinho s’dëshiron të kthehet në Barcelonë

  • 11 February 2020 - 09:22
Coutinho s’dëshiron të kthehet në Barcelonë

Ylli brazilian Philippe Coutinho dëshiron të qëndrojë edhe më tutje në Bayern Munich dhe ia ka bërë të ditur edhe klubit gjerman e edhe Barcelonës këtë qëllim të tij.

Philippe Coutinho iu bashkua gjigantit spanjoll për 167 milionë euro në janar të vitit 2018, mirëpo s’arriti ta dëshmojë veten në Camp Nou dhe u dërgua në formë huazimi në Bayern Munich.

Coutinho dëshiron të qëndrojë edhe përtej këtij sezoni në Allianz Arena, mirëpo gjiganti gjerman ende s’i është përgjigjur pyetjes së Barcelonës se a do ta shfrytëzojë opsionin në marrëveshje për ta blerë futbollistin për 130 milionë euro.

Kjo shumë mund t’i duket shumë e madhe Bayerni, pasi që e përditshmja spanjolle, Mundo Deportivo, raportoi javën e kaluar se Barcelona është e gatshme ta shesë Coutinhon për 80 milionë euro, 87 milionë euro më pak sesa që e bleu, në mënyrë që ta shesë gjatë afatit kalimtar të verës.

27-vjeçari ka luajtur në gjithsej 27 ndeshje për Bayernin gjatë këtij sezoni 2019/20 (19 në Bundesligë, gjashtë në Ligën e Kampionëve dhe dy në DFB Pokal), dhe ka kontribuar në to me shtatë gola dhe tetë asiste.

(Kosova Sot Online )