Drejtori i PSG-së: Mbappe s’është fëmijë i llastuar, është person i përkushtuar

  • 11 February 2020 - 10:21
Drejtori i PSG-së: Mbappe s’është fëmijë i llastuar, është person i përkushtuar

Kylian Mbappe është kritikuar për sjelljen e tij, pas zënkës që e pati me trajnerin e Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, pasi që ky i fundit vendosi ta zëvendësojë atë gjatë një ndeshjeje në Ligue 1.

Megjithatë, drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, i ka dalur në mbrojtje sulmuesit francez dhe e ka lavdëruar atë për personalitetin e tij.

“I kam dëgjuar gjërat që po thuhen për Mbappen, për personalitetin e tij. Ato gjëra më vënë në siklet”, ka thënë Leonardo, në një intervistë të dhënë për Canal+.

“Nëse një lojtar del nga fusha dhe i flet trajnerit, atëherë është faji i tij. Ne do të flasim për këtë gjë dhe do ta zgjidhim atë”.

“Por, unë s’mund ta pranoj që ta quajnë atë fëmijë të llastuar, sepse ai është një person i adhurueshëm, është shumë i përkushtuar dhe është lojtar fantastik”.

Leonardo vazhdoi duke pretenduar se PSG-ja i ka dy ndër lojtarët më të mirë në botë – Mbappen dhe Neymarin – dhe e theksoi se e kanë skuadrën të mbushur me lojtarë cilësorë.

“Është një 35-vjeçar (Cristiano Ronaldo), një 32-vjeçar (Lionel Messi) dhe dy lojtarët e tjerë më të mirë janë një 28-vjeçar (Neymari) dhe një 21-vjeçar (Mbappe) dhe ata janë me ne”, shtoi Leonardo.

“Le ta shijojmë këtë, unë jam një drejtor sportiv i lumtur. Ne duhet të përfitojmë nga kjo dhe të ndalemi së foluri vetëm për probleme”.

“Ata thonë se klubi nuk di si t’i përballojë yjet e vet dhe unë dua t’i kuptoj arsyet prapa këtij pretendimi sepse ne e kemi të drejtën të jemi të lumtur herë pas here”.

“Ne e kemi një skuadër të mrekullueshëm dhe lojtarët tanë janë të shëndetshëm dhe në formë. Pse duhet të shqetësohemi sa herë të afrohet faza e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve? Nuk është çështje jetë a vdekje”.

(Kosova Sot Online)