Nga “ferri” në “parajsë”, si e tjetërsoi Interin në derbi fjalimi i Conte-s

  • 11 February 2020 - 11:49
Nga “ferri” në “parajsë”, si e tjetërsoi Interin në derbi fjalimi i Conte-s

Inter i fikur dhe i trembur në pjesën e parë, agresiv dhe shpërthyes në pjesën e dytë. Kjo ishte paraqitja e zikaltërve në derbin e Madoninës, të luajtur të dielën në mbrëmje.

Nga disavantazhi 2-0 në 45 minutat e parë te triumfi përfundimtar 4-2 është një përmbysje gati epike, që tregon për forcën e skuadrës së Antonio Conte. Ky i fundit është strategu, personi që gjatë pushimit mes dy pjesëve të derbit i bëri “magji” Interit të tij.

Diçka ndodhi në dhomën e zhveshjes zikaltër, kjo është më se e dukshme. 

Në atë diçka, me siguri ekziston dora e fortë e Antonio Conte. Trajneri nga Salento ka ditur të prekë telat e duhur, duke i motivuar e karikuar lojtarët e tij me besim e krenari.

Përgjigjja ishte ajo që u pa në fushë, teksa zikaltrit u shfaqën me një vendosmëri tipike të trajnerit të tyre. Conte ishte mjaft efikas në transmetimin e këtyre ndjenjave, duke përdorur fjalë të thjeshta dhe aspak të forta, transmeton Telesport.

Sipas asaj që raporton “Gazzetta dello Sport”, në dhomën e zhveshjes, Conte nuk iu referua peshës që ka derbi për të motivuar Brozovic me shokë. 

Ai kujtoi qartësisht 19 pikët e distancës që ekzistonin mes dy skuadrave, para “bilbilit” të fillimit, duke u përpjekur ta minimizojë në maksimum kalibrin e kundërshtarit, autor i një loje deri në kufijtë e përsosmërisë në 45 minutat e para. Conte arriti t’i bindte zikaltrit për forcën e tyre, se ishin më të mirë se Milani, me pak fjalë. Pa fjalë dhe kërcënime, por vetëm duke iu kujtuar djemve të tij se niveli i tyre ishte thjesht më i mirë, vetëm se deri në atë moment ishte parë e kundërta.

Strategji fituese, që prodhoi një rikthim befasues, i cili filloi nga kapiteni Brozovic, një nga më të këqinjtë në fraksionin e parë. Predha e tij me këmbën e majtë përuroi përmbysjen, duke sjellë pozitivitet dhe vetëdije për potencialin e zikaltërve, që në pjesën e parë nuk ishte shfaqur fare.

Derbi, i cili ka të ngjarë të jetë momenti kthyes i sezonit zikaltër, siç ndodhi në vitin 2006, ishte ogur i mirë në funksion të një faze finale të zjarrtë për titullin, ku Interi do të duhet të japë më shumë se maksimumin për ta fituar atë ndaj Juventusit dhe Lazio. Me një derbi të tillë kaq bindës, objektivi do të jetë pak më i lehtë…

(Kosova Sot Online)