Emery tregon si e bindi Neymarin të largohet nga Barcelona

  • 11 February 2020 - 13:07
Emery tregon si e bindi Neymarin të largohet nga Barcelona

Unai Emery e ka zbuluar rolin që ai e kishte luajtur në tentimin e Paris Saint-Germainit për transferimin e Neymarit, duke thënë se ai i kishte treguar yllit brazilian se PSG-ja kishte plan ta ndërtonte skuadrën përreth tij.

Neymari e kompletoi transferimin për 222 milionë euro, duke u bërë futbollisti më i shtrenjtë në histori, në vitin 2017, kur e shkëmbeu Barcelonën me Paris Saint-Germainin, pas katër vjetëve në Camp Nou.

Emery në atë kohë po përgatitej për ta nisur sezonin e tij të dytë si trajner në Parc des Princes, pasi kishte dështuar ta fitojë titullin e Ligue 1 dhe atë të Ligës së Kampionëve gjatë vitit të tij të parë në Francë.

Pikërisht Neymari ia kishte shkaktuar PSG-së eliminimin nga Liga e Kampionëve, pasi që dy golat e tij i ndihmuan Barcelonës ta përmbysë rezultatin nga disfata 4:0 në ndeshjen e parë në fitoren 6:1 në Camp Nou për t’u kualifikuar në çerekfinale.

Pas atij sezoni 2016/2017, Neymari vendosi të largohet nga hija e Lionel Messit në Barcelona dhe ta testojë veten diku tjetër, si futbollisti më i shtrenjtë në botë. Ai arriti t’ia fitojë menjëherë PSG-së tre titujt vendorë, mirëpo karriera e tij në Francë është dëmtuar nga lëndimet e shumta.

Në një intervistë të fundit, Emery ka thënë se ai kishte kontribuar në tentimin e PSG-së për ta bindur Neymarin t’i bashkohet parisienëve, pasi ishte mbështetur nga presidenti i klubit, Nasser Al-Khelaifi.

“Unë gjithmonë e kam ndierë mbështetjen e presidentit Nasser. Për shembull, kur ishim afër transferimit të Neymarit, më takoi mua t’ia shpjegojë Neymarin se ne do ta ndërtonim skuadrës përreth tij”, ka thënë trajneri spanjoll.

“Kur bëhet fjalë për lojtar të tillë fenomenal, nuk mund t’i thuash se tashmë e ke një skuadër dhe se ai do të duhet të përshtatet me ta. Ti duhet ta krijosh skuadrën për të, përndryshe ai s’do të vinte – për këtë s’kam asnjë dyshim”.

“Presidenti dhe drejtorët e diskutuan kontratën, por është trajneri ai i cili duhet ta bindë lojtarin për planin e lojës”.

(Kosova Sot Online)