Sarri ua sqaron drejtuesve të Juventusit formën e dobët në një takim

  • 11 February 2020 - 13:33
Sarri ua sqaron drejtuesve të Juventusit formën e dobët në një takim

Trajneri Maurizio Sarri raportohet se është takuar me presidentin e Juventusit, Andrea Agnellin, dhe drejtorin sportiv, Fabio Paraticin, për ta analizuar situatën në të cilën gjenden aktualisht bardhezinjtë.

Gazeta italiane La Stampa raporton se ish-trajneri i Napolit dhe Chelseat u ftua në një takim në fundjavë me hierarkinë e klubit, pasi Juventusi pësoi disfatë për herë të dytë në tre ndeshjet e fundit.

Disfata me rezultat 2:1 kundër Hellas Veronës i ndihmoi Interit të dalë në pozitën e parë në tabelë, në një luftë të zjarrtë për titullin e Serisë A, pasi që zikaltrit fituan në mënyrë dramatike me rezultat 4:2 kundër Milanit në Derby della Madonnina.

Pas Interit dhe Juventusit, që kanë baras pikë, radhitet Lazio me vetëm një pikë më pak. Takimi mes drejtuesve dhe Sarrit u mbajt me qëllim që trajneri ta sqarojë situatën dhe rrethanat që kanë bërë që Juventusi të mos ketë epërsi më të madhe në krye të tabelës, siç kishin pritur drejtuesit.

Bardhezinjtë i kanë nëntë pikë më pak sesa që i kishte pasur në këtë fazë Juventusi i drejtuar nga Massimiliano Allegri vitin e kaluar dhe i kanë pranuar 23 gola këtë sezon, më shumë sesa Interi e Lazio.

Dje disa mediume italiane raportuan se Juventusi mund të vendosë ta kthejë Allegrin në detyrën e trajnerit në fund të këtij sezoni, përderisa gazeta britanike The Sun ka sugjeruar se Pep Guardiola do të shkojë në Allianz.

Të enjten, “Zonja e Vjetër” do të udhëtojë në Milano për ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Italisë.

(Kosova Sot Online)