Menaxheri: Hysaj largohet nga Napoli në fund të sezonit

  • 11 February 2020 - 21:10
Menaxheri: Hysaj largohet nga Napoli në fund të sezonit

Mario Giuffredi, menaxheri i Elseid Hysaj, ka zbuluar se mbrojtësi shqiptar mund të largohet nga Napoli në fund të këtij sezoni.

Për përfaqësuesin e Kombëtares së Shqipërisë është përfolur se do të largohej nga klubi italian në afatin kalimtar të janarit, por ai qëndroi në klub pas ardhjes së Gennaro Gattusos në stolin e trajnerit.

Kontrata e Hysajt me Napolin mbaron në fund të sezonit të ardhshëm, por gjendja e tij në klub është e komplikuar.

“Kemi folur për këtë, Napoli e di gjendjen e tij. Do të presim për përgjigjet dhe kur t’i marrim do ta shohim çfarë ndodh. Ekziston dëshira për zgjatjen e kontratës dhe për shitjen e tij në verë. Nuk i dua më dy lojtar të mi në të njëjtin rol”, tha Guiffredi.

26-vjeçari i ka zhvilluar 11 ndeshje në Serie A këtë sezon dhe dy të tjera në Kupën e Italisë. Napoli përballet nesër me Interin në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.


(Kosova Sot Online)