Tuchel e merr shembull Federerin për ta dëshmuar se PSG-ja s’ka krizë në Champions

  • 12 February 2020 - 08:32
Tuchel e merr shembull Federerin për ta dëshmuar se PSG-ja s’ka krizë në Champions

Trajneri Thomas Tuchel beson se problemet e Paris Saint-Germainit janë ekzagjeruar në një nivel të ngjashëm me dominimin e perceptuar të Roger Federerit në tenis.

Që kur grupi Qatar Sport Investments (QSI) e mori pronësinë e Paris Saint-Germainit në vitin 2011, klubi është fiksuar te suksesi në Ligën e Kampionëve, duke shpenzuar shumë para në tentimin për t’u bërë klubi më i madh në Evropë.

Por, gjatë kësaj periudhe, PSG-ja s’ka arritur të kalojë më shumë sesa në çerekfinale të garës më prestigjioze të Evropës, duke pësuar disfata tronditëse kundër Barcelonës dhe Manchester Unitedit gjatë këtij procesi.

Megjithatë, me Kylian Mbappen, Mauro Icardin dhe Neymarin në formë mbresëlënëse këtë sezon, tifozët e PSG-së besojnë se ky sezon mund të jetë më në fund sezoni i suksesshëm për francezët. Borussia Dortmundi i pret në 1/8 të finales dhe Tuchel mbetet i qetë, përkundër presionit të madh për ta sjellë trofeun prestigjioz në Parc des Princes.

“Nëse unë ju them të mos mendoni për një elefant me ngjyrë rozë, ju do të mendoni pikërisht për atë. Duhet ta pranoni kontekstin. Pas eliminimit nga Manchester Unitedi, unë u thashë djemve se do të provojmë sërish vitin tjetër”, ka thënë Tuchel.

“Faza e grupeve, faza e 1/8 të finales, kështu janë gjërat. Është e njëjta edhe në tenis. Të gjithë thonë se Roger Federer ka fituar gjithmonë, por nuk është ashtu. Ne kemi vetëbesim dhe jemi përmirësuar. E kemi një grup të mirë dhe jam mirënjohës për këtë mundësi”.

“Ndeshja e parë nuk ka qenë kurrë problem, të gjithë flasin për ndeshjen e dytë. Ky është sporti dhe duhet të mbetet sport. Ne mund të themi se është faji ynë, me ndeshjet kundër Barcelonës dhe Manchester Unitedit. Ne i humbëm këto ndeshje dhe ne s’mund të presim që të tjerët të jenë pozitivë për ne”.

“Për mua, kjo nuk ndryshon. Ne jemi këtu çdo ditë me skuadrën, ne jemi të lumtur që e kemi arritur 1/8 e finales. Është një ëndërr për të gjithë të luajnë në Ligën e Kampionëve me një klub si PSG-ja”.

“Ne gjithmonë qëndrojmë pozitivë, ju mund të ndikoni te konteksti duke dhënë gjithçka që ke nga vetja. Varet nga ne, nuk mund t’i lëmë të na ndikojnë të tjerët nga jashtë. Konteksti nuk i bën gjërat më të lehta, por kështu është sporti. Tenton, tenton sërish dhe nuk dorëzohesh kurrë”.

(Kosova Sot Online )