Man Unitedi, optimist për garën kundër Chelseat për blerjen e Sanchos

  • 12 February 2020 - 09:25
Man Unitedi, optimist për garën kundër Chelseat për blerjen e Sanchos

Drejtuesit e Manchester Unitedit besojnë se ata do ta mposhtin Chelsean në tentimin për ta transferuar talentin anglez Jadon Sanchon gjatë afatit kalimtar të verës, pasi që dyshja angleze është në garë të zjarrtë për anësorin.

Jadon Sancho ka qenë në formë mbresëlënëse gjatë sezonit 2019/20 në Bundesligë dhe goli i tij i në fitoren me rezultat 5:0 kundër Union Berlin bëri që ai të bëhet lojtari i parë që i shënon 25 gola në Bundesligë para se t’i mbushë 20 vjeç.

Anglezi më parë e kishte thyer rekordin e Horst Koppels, kur ishte bëri lojtari më i ri që i kishte shënuar 22 gola në ligën elitare të futbollit në Gjermani, pas golit të tij në barazimin 3:3 me RB Leipzigun më 17 dhjetor.

Ndikimi i tij si me Dortmundin në Gjermani, ashtu edhe me Kombëtaren e Anglisë, ka bërë që shumë klube të Premierligës ta monitorojnë situatën e tij në Dortmund, për t’i siguruar shërbimet e futbollistit që konsiderohet si njëri ndër talentet më premtuese në futbollin evropian.

Pikërisht paraqitjet e tij me Kombëtaren e Anglisë mund të ndikojnë që çmimi i Sanchos të rritet edhe më shumë. Për këtë arsye, drejtuesit e Dortmundit duan të presin për shitjen e tij deri pasi të mbahet Kampionatin Evropian 2020.

Manchester Unitedi dhe Chelsea janë përfolur që një kohë të gjatë për transferimin e anglezit, mirëpo The Mirror raporton se Manchester Unitedi është i sigurt se do ta fitojë këtë garë, pasi që mund ta përballojë financiarisht çmimin që e kërkon Dortmundi për të, 120 milionë funte.

Megjithatë, drejtori sportiv i klubit gjerman, Michael Zorc, insistoi së fundi se Dortmundi s’ka marrë asnjë ofertë zyrtare.

“Fakti është se asnjë klub tjetër s’na ka kontaktuar deri më tani për Jadonin. Unë nuk mund të përgjigjem sot në pyetjen se a do të qëndrojë Sancho në Dortmund përtej këtij sezoni”, tha Zorc.

“Ajo që mund ta them me siguri është se ai ndihet shumë rehat me ne, përndryshe s’do të ishte duke bërë paraqitje aq mbresëlënëse javë pas jave”.

“Ai është një fenomen dhe tani është duke bërë superparaqitje. Ai nuk pushon pothuajse kurrë sa është në fushë, gjithmonë i ndihmon skuadrën në mbrojtje. Ai punon shumë dhe e ka fituar respektin tim”.

(Kosova Sot Online )