Ronaldo: Doja të qëndroja në Barcelonë, por s’e kisha unë në dorë

  • 12 February 2020 - 14:43
Ronaldo: Doja të qëndroja në Barcelonë, por s’e kisha unë në dorë

Ronaldo Nazario e ka pranuar se nuk kishte dashur të largohej nga Barcelona kur i përfundoi kontrata e tij me klubin katalonas në vitin 1997.

Legjenda braziliane iu bashkua Interit pas largimit nga stadiumi Camp Nou, para se të shkonte për të luajtur për rivalin e madh të Barcelonës, Real Madridin.

“Unë isha afër ta rinovoj kontratën pasi përfundoi sezoni dhe pastaj shkova në Brazil për pushime”, ka thënë Ronaldo, në një intervistë të dhënë për DAZN.

“Pastaj, pesë ditë më vonë, ata më telefonuan për të më thënë se rinovimi i kontratës nuk mund të ndodhte. Nuk ishte kurrë vendim i imi, unë dëshiroja të qëndroj”.

“Nëse klubi nuk më vlerësonte ashtu siç duhej… nuk ishte vendimi im. Do të më kishte pëlqyer shumë të qëndroja, por, siç po e them, vendimin s’e kisha në dorë unë”.

Pesë vjet më vonë, Ronaldo u kthye në Spanjë dhe u bë njëri ndër transferimet “Galactico” të Real Madridit.

“Unë shkova te Real Madridi sepse dëshiroja të luaja atje. E kisha pasur ëndërr të luaja për Real Madridin një ditë dhe kisha luftuar aq shumë që ta bëja atë ëndërr realitet”.

“Roberto Carlos ishte me mua në ekipin kombëtar dhe gjithmonë më tregonte se si ishte të luash për Real Madridin. Kjo më bëri shumë përshtypje dhe më vonë dëshiroja ta shihja me sytë e mi”.

“E vërteta është se është një klub edhe më i madh sesa që më thoshte ai. Ka gjithmonë shumë presion dhe pritje në atë klub sepse aty janë gjithmonë lojtarët më të mirë të botës. Më pëlqente ta dija se mund ta bëja Real Madridin klub edhe më të madh”.

“Prej shfaqjes së grupit tonë, çdo skuadër filloi të prodhonte më shumë para, ata i shitnin lojtarët në mënyrë më të mirë dhe ishte një ndryshim i madh që e solli një epokë të re në futboll”. 

(Kosova Sot Online)