Drejtori i Liverpoolit: S’e humbëm gati asnjë ndeshje pas largimit të Coutinhos

  • 12 February 2020 - 15:15
Drejtori i Liverpoolit: S’e humbëm gati asnjë ndeshje pas largimit të Coutinhos

Drejtori ekzekutiv i Liverpoolit, Peter Moore, ka insistuar se largimi i brazilianit Philippe Coutinho nga klubi anglez te Barcelona në vitin 2018 u bëri mirë “The Reds”, të cilët pothuajse e harruan ndjenjën e disfatave pas largimit të tij.

Braziliani Philippe Coutinho iu shit katalonasve për 167 milionë euro në janar të vitit 2018, para se Liverpooli të arrinte në dy finale radhazi të Ligës së Kampionëve pa të në skuadër.

“Kur u largua Philippe Coutinho, te ne ndodhi një ndryshim. Nuk e kam fjalën vetëm për strukturën e skuadrës, por edhe për mënyrën se si luanim ne”, tha Moore, në një intervistë të dhënë për The Mirror.

“Nëse ju kujtohet, kur ai u largua para dy vjetëve, ne e ndryshuam plotësisht stilin e lojës dhe pothuajse s’e humbëm asnjë ndeshje gjatë gjithë sezonit”.

“S’dua të tregohem i pasjellshëm me Philippen, por ai e kishte një stil të ndryshëm loje. Paratë erdhën nga shitja e tij dhe ato që i morën nga Barcelona na ndihmuan ta financojmë blerjen e Alisson Beckerit”.

Philippe Coutinho iu bashkua gjigantit spanjoll për 167 milionë euro në janar të vitit 2018, mirëpo s’arriti ta dëshmojë veten në Camp Nou dhe u dërgua në formë huazimi në Bayern Munich, transmeton Gazeta Express.

Coutinho dëshiron të qëndrojë edhe përtej këtij sezoni në Allianz Arena, mirëpo gjiganti gjerman ende s’i është përgjigjur pyetjes së Barcelonës se a do ta shfrytëzojë opsionin në marrëveshje për ta blerë futbollistin për 130 milionë euro.

Kjo shumë mund t’i duket shumë e madhe Bayerni, pasi që e përditshmja spanjolle, Mundo Deportivo, raportoi javën e kaluar se Barcelona është e gatshme ta shesë Coutinhon për 80 milionë euro, 87 milionë euro më pak sesa që e bleu, në mënyrë që ta shesë gjatë afatit kalimtar të verës.

27-vjeçari ka luajtur në gjithsej 27 ndeshje për Bayernin gjatë këtij sezoni 2019/20 (19 në Bundesligë, gjashtë në Ligën e Kampionëve dhe dy në DFB Pokal), dhe ka kontribuar në to me shtatë gola dhe tetë asiste.

(Kosova Sot Online)