Haaland: Transferimi në Man United s’dështoi shkaku i kërkesës time për pagë

  • 14 February 2020 - 08:12
Haaland: Transferimi në Man United s’dështoi shkaku i kërkesës time për pagë

Erling Haaland insiston se pretendimet se Manchester Unitedi refuzoi ta transferojë atë gjatë afatit kalimtar të janarit për shkak të kërkesave të tij të mëdha për pagë janë komike, duke zbuluar se ai veçse kishte vendosur të transferohej në Borussia Dortmund.

Sulmuesi norvegjez iu bashkua klubit të Bundesligës muajin e kaluar dhe e ka dëshmuar veten menjëherë, me tetë gola të shënuara në 270 minuta lojë në pesë paraqitje deri më tani.

Kjo formë e mirë e Haalandit vetëm sa e ka theksuar dështimin e Manchester Unitedit për ta transferuar adoleshentin, përkundër nevojës së madhe të klubit për një qendërsulmues.

Duke folur për transferimin e tij në Dortmund nga Red Bull Salzburgu muajin e kaluar, Haaland tani i ka mohuar lajmet që sugjeronin se klubi anglez u tërhoq nga tentimi për ta transferuar norvegjezin për shkak të kërkesave të tij të shumta.

“Ole ka qenë shumë i rëndësishëm për mua për të arritur këtu ku jam sot. Megjithatë ne vendosëm që Dortmundi ishte opsioni më i mirë për mua. Unë ndihesha më rehat aty dhe për këtë arsye e zgjodha Dortmundin”, ka thënë Haaland.

Pasi u pyet për spekulimet se Manchester Unitedi s’i pranoi kërkesat e tij për pagë, Haaland, i cili kishte punuar me trajnerin Ole Gunnar Solskjaer sa kishte qenë i ri në klubin norvegjez Molde, tha: “Jo, ata që e kanë shkruar këtë duhet ta sqarojnë”.

“Ata duhet të ma sqarojnë edhe mua nëse takohemi. Ajo gjë nuk është fokusi im aspak. Është qesharake që e kam marrë atë epitet. Të gjithë njerëzit e afërt me mu e dinë se çfarë lloj njeriu jam”.

(Kosova Sot Online )