Vazhdon “mallkimi” i Neymarit në Ligën e Kampionëve

  • 14 February 2020 - 09:46
Vazhdon “mallkimi” i Neymarit në Ligën e Kampionëve

Ylli brazilian Neymar mund të mungojë sërish nga skuadra e Paris Saint-Germainit ndeshjen e 1/8 të finales të Ligës së Kampionëve, duke e vazhduar kështu mallkimin e tij në garën më prestigjioze të Evropës.

Braziliani pësoi lëndim në brinjë gjatë fitores me rezultat 5:0 të Paris Saint-Germainit kundër Montpellier më 1 shkurt dhe, edhe pse lëndimi i tij nuk duket të jetë serioz, ai ka munguar në tri ndeshjet e fundit të kampionit francez, kundër Nantes, Lyon dhe Dijon.

Neymari tani përballet me sfidën për t’u shëruar në kohë për ndeshjen e parë të fazës së 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, që do të zhvillohet të martën e ardhshme kundër Borussia Dortmundit.

“Nuk mund ta garantoj 100 për qind se Neymari do të jetë i gatshëm kundër Dortmundit”, ka thënë Thomas Tuchel, në një intervistë të dhënë të mërkurën.

“Ne do ta shohim edhe një herë të premten gjendjen e tij, por s’do të ia rrezikojmë shëndetin”.

Neymari ka munguar në tri nga katër ndeshjet e Paris Saint-Germainit në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve prej se që është transferuar nga Barcelona.

Klubi francez është eliminuar në të dyja rastet, në dy sezonet e fundit, në fazën e 1/8 të finales së Championsit.

Neymari kishte luajtur në ndeshjen e parë të kësaj fazë në sezonin 2017/18 kundër Real Madridit, por kishte munguar në ndeshjen kthyese. Ndërsa, ai mungoi në të dyja ndeshjet e sezonit 2018/19, kur PSG-ja u eliminua nga Manchester Unitedi.

(Kosova Sot Online )