Pasaporta e Lautaros, pengesë për transferimin e tij në Real Madrid

  • 14 February 2020 - 12:06
Pasaporta e Lautaros, pengesë për transferimin e tij në Real Madrid

Transferimi potencial i sulmuesit të Interit, Lautaro Martinezit, nuk do të ishte lehtësisht i arritshëm për Real Madridit – jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe shkaku i prejardhjes së tij nga Argjentina.

Klubet e La Ligës kanë të drejtë t’i regjistrojnë në skuadër vetëm tre lojtarë që vijnë nga shtete jashtë Bashkimit Evropian dhe këto tre vende tashmë janë të zëna nga Vinicius Junior, Eder Militao dhe Rodrygo Goes.

Për më tepër, Real Madridi e ka siguruar transferimin edhe të Reinier Jesusit, i cili do të prezantohet si lojtar i ri i Real Madridit javën e ardhshme dhe edhe ai do të jetë në garë për njërën nga ato tre vende.

Ish-mesfushori i Flamengos, i cili u kushtoi madrilenëve 30 milionë euro, do ta kalojë këtë sezon me ekipin e të rinvje të Real Madridit, pasi që për ta s’ka vend në ekip të parë – shkaku i rregullës për lojtarët nga vendet jashtë BE-së.

Sezoni tjetër do të jetë më ndryshe pasi që klubi madrilen shpreson se Viniciusi do ta marrë pasaportën spanjolle para se të fillojë sezoni 2020/21, gjë që mund edhe të mos ndodhë deri më vonë në vitin 2020.

Tani për tani, Militao, Rodrugo dhe Reinier s’i plotësojnë kriteret për të aplikuar për pasaportë spanjolle.

Lautaro ka qenë në Itali që dy vjet, megjithatë ai ende s’ka aplikuar për të marrë nënshtetësi evropiane. Për më tepër, ai s’ka asnjë lidhje familjare me ndonjë vend të Bashkimit Evropian, që mund t’ia komplikojë situatën edhe më tutje.

Opsioni që ka më së shumti gjasa të ndodhë është se, pavarësisht a transferohet Lautaro në Real Madrid apo jo, njëri ndër katër brazilianët do të detyrohet të largohet.

Reinier mund të huazohet ose ta kalojë të gjithë sezonin me të rinjtë e Real Madridit, përderisa Militao, Rodrygo dhe Vinicius do t’i mbanin tre vendet në skuadër për lojtarët me prejardhje jashtë BE-së.

Opsioni tjetër është se nëse Lautaro transferohet në Santiago Bernabeu, Viniciusi ose Rodrygo mund të shiten. Megjithatë, kjo nuk ka shumë gjasa të ndodhë pasi që klubi dhe Zinedine Zidane kanë investuar shumë te ta deri më tani.

Pasi që Real Madridi s’ka shumë opsione në repartin e mbrojtjes, një largim i Militaos duket se ka më së paku gjasa të ndodhë. E situata e Real Madridit komplikohet edhe më shumë me kthimin e Takefusa Kubos, një tjetër lojtari me prejardhje nga jashtë BE-ja.

(Kosova Sot Online )