Mercedesi zbulon makinën e re me të cilën do të garojnë Hamilton dhe Bottas

  • 14 February 2020 - 20:16
Mercedesi zbulon makinën e re me të cilën do të garojnë Hamilton dhe Bottas

Pasi prezantoi telajon e re, duke konfirmuar edhe kontratën 5-vjeçare të sponsorizimit me kompaninë Ineos, Mercedesi këtë të premte bëri edhe prezantimin zyrtar të makinës së re, W11, me të cilën do të garojnë Lewis Hamilton dhe Valteri Bottas në Botërorin e F1.

Siç u pa edhe në momentin e prezantimit të telajos, Mercedesi e ka ruajtur traditën, teksa në të dominon ngjyra gri me ngjyrën e gjelbër të sponsorit Petronas në zona të caktuara dhe me logon e sponsorit të ri, Ineos, me ngjyrë të kuqe.

 

Ai që e përjeton në mënyrë të veçantë këtë vit në Formula 1 është pikërisht Lewis Hamilton, pasi në lojë është jo vetëm rinovimi i kontratës, që skadon në fund të këtij viti, por edhe barazimi i rekordin të Michael Schumacher me 7 tituj botërorë për pilotë.

Anglezi vendosi të ndryshonte edhe ngjyrat e helmetës së tij, ku spikat prania e një tonaliteti të ngjyrës vjollcë mbi bazën e bardhë.

Ndërkaq, Hamilton dhe Bottas kanë kryer edhe xhirot e para me makinën e re në pistën e Silverstone, në pritje të testeve zyrtare parasezonale, që do të nisin në 19 shkurt në Montmelo të Barcelonës.

(Kosova Sot Online)