Guardiola shqetësohet se do t’i ikin të gjithë lojtarët, pas dënimit nga UEFA

  • 15 February 2020 - 10:05
Guardiola shqetësohet se do t’i ikin të gjithë lojtarët, pas dënimit nga UEFA

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, është i shqetësuar për të ardhmen e lojtarëve të tij, pasi klubi anglez u dënua me dy vjet pezullim nga gara më prestigjioze e Evropës, Liga e Kampionëve.

Strategu spanjoll ishte në dijeni për dënimin nga UEFA, ku përfshihet edhe gjoba prej 30 milionë eurove, dhe ai tani është i shqetësuar se lojtarët e mëdhenj të skuadrës do të duan të largohen nga Manchester City pas publikimit të atij lajmi.

UEFA bëri të ditur të premten se kampioni në fuqi i Premierligës s’do të lejohet të marrë pjesën në edicionet 2020/21 dhe 2021/22 të garave evropiane, si dhe është gjobitur me 30 milionë euro, për shkak se ka gënjyer për përfitimet nga sponsorët në raportet financiare dhe nuk ka bashkëpunuar me autoritetet gjatë hetimeve.

Manchester City u përgjigj duke insistuar se ishin të zhgënjyer por jo të befasuar nga dënimi i UEFA-s dhe bënë të ditur se janë të përgatitur ta dërgojnë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Sipas burimeve të ESPN, Guardiola është shumë i qetë pasi që beson se dënimi do të zbutet nga CAS-i, por shqetësohet se lojtarët do të duan të largohen për shkak të mospjesëmarrjes në garat evropiane.

Spanjolli është i bindur se shkeljet që Manchester City i bëri kishin ndodhur para se të vinte ai në Etihad, ndërsa klubi do të mbajë takim urgjent së shpejti për të vendosur për të ardhmet e personave që janë përmendur për shkeljet e rregullave të ndershmërisë financiare (FFP) të UEFA-s. 

(Kosova Sot Online)