Pritet largimi i Guardiolës nga Man City, Juventusi favorit për spanjollin

  • 15 February 2020 - 11:59
Pritet largimi i Guardiolës nga Man City, Juventusi favorit për spanjollin

Pasi që Manchester City është përjashtuar nga garat evropiane për dy vjetët e ardhshme, trajneri Pep Guardiola mund ta vazhdojë karrierën diku tjetër. Juventusi, Paris Saint-Germaini dhe Bayern Munichu janë në pritje të spanjollit.

Manchester City u dënua të premten nga UEFA me pezullim nga garat evropiane për dy sezonet e ardhshme, 2020/21 dhe 2021/22, si dhe u ndëshkua me 30 milionë euro gjobë, pasi që i shkeli rregullat e UEFA-s për ndershmëri financiare (FFP).

Dhoma Hetuese e UEFA-s gjeti dëshmi se klubi kishte gënjyer në raporte financiare për paratë e dhuruara nga sponsorët nga viti 2012 deri në vitin 2016, duke thënë se sponsorët kishin dhuruar më shumë para sesa që kishin dhuruar në të vërtetë vetëm sa për t’i mbuluar shpenzimet.

Ky dënim ka ngritur edhe dyshimet për të ardhmen e trajnerit të klubit, pasi që Guardiola kishte qenë edhe më parë i spekuluar për një largim nga Etihad. Përjashtimi nga garat evropiane tashmë vetëm sa i kanë intensifikuar këto spekulime

Juventusi raportohet se është klubi favorit për ta marrë Guardiolën, pasi që klubi italian e kishte kontaktuar spanjollin edhe gjatë verës së kaluar, para se ta emëronte Maurizio Sarrin në vend të Massimiliano Allegrit.

Manchester City ka vendosur ta apelojë vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, mirëpo as ulja e dënimit nuk pritet ta bindë Guardiolën të qëndrojë në Etihad. 

(Kosova Sot Online)