Dy vite jashtë Evropës, gjithçka që duhet të dini për dënimin historik të Cityt

  • 15 February 2020 - 13:41
Dy vite jashtë Evropës, gjithçka që duhet të dini për dënimin historik të Cityt

Aleksander Ceferin nuk lodhet duke përsëritur se UEFA nuk do të lejojë askënd të kalojë vijën e përcaktuar me ligj dhe se ai synon të zbatojë të gjithë elementët sanksionues të “fair play financiar”.

Shumë nuk e kanë besuar shefin ekzekutiv të UEFA-s në situata të veçanta, për shembull, PSG, por koha e ka dëshmuar se Ceferin ka të drejtë.

ontrolli financiar i klubeve është një organ i pavarur nga drejtuesit e UEFA-s dhe ka qenë i pamëshirshëm me Manchester City, duke e përjashtuar atë për dy vite nga garat europiane. Dhe “qytetarët” nuk janë ekipi i vetëm nën hetim.

Në këtë situatë, “Marca” mundohet të hedhë më shumë dritë mbi atë që ka ndodhur, përmes pyetjeve dhe përgjigjeve shteruese të saj.

Çfarë mund të bëjë Manchester City tani?
UEFA tashmë i ka shteruar të gjitha pretendimet e mundshme. Manchester City ka vetëm një mundësi apelimi në CAS (gjykata sportive e Lozanës), ose, në rastin e fundit, në gjykatat e zakonshme të drejtësisë. Javë më parë, CAS e çliroi Chelsea nga sanksioni i UEFA-s që të mos blejë e shesë dot në dy merkato radhazi. Në fund, ky penalizim u reduktua në një seancë merkatoje. Para përfundimit të këtij sezoni, vendimi i gjykatës zvicerane (CAS) duhet të mësohet.

Kush e formon Dhomën e Kontrollit Financiar të Klubeve (CFCB)?
President është belgu Yves Leterne. Ajo formohet, gjithashtu, nga spanjolli Jacobo Beltrán, francezi Yves Wehrli, rusi Konstantin Sonin, gjermani Egor Franck dhe suedezi Petra Stanonic.

A ka pasur ekipe të përjashtuara më parë?
Po, i fundit ishte Milani, i cili u pajtua me sanksionin e një viti jashtë Kupave të Europës. Panathinaikos, gjithashtu, është përjashtuar. Sion, Vojvodina apo Tirana janë disa nga të tjerë, që janë ndëshkuar, në këtë rast me gjoba ekonomike. Deri në 15 klube gjithsej kanë kaluar nëpër CFCB. CSKA e Sofjes, Galatasaray, Fenerbahce, Beksitas, Inter, Roma, Cluj, Olympique Marseille dhe PSG kanë qenë ekipe të tjera, të identifikuara dhe të hetuara. Disa prej tyre janë ende duke u monitoruar nga UEFA.

A e humbet një vend Premier League në garat europiane?
Jo. Nëse, më në fund, Manchester City nuk mund të marrë pjesë në edicionin tjetër të Ligës së Kampionëve dhe nëse përfundon në katër të parat e Premier League, do të jetë i pesti, ai që shkon në Champions.

Cila është origjina e sanksionit?
Akuza ndaj Manchester City fillon nga llogaritja e fitimeve të tepërta në sponsorizimin e “Etihad”. Linja ajrore, e kontrolluar nga vetë sheiku i Manchester Cityt, ishte sponsori i fanellës së klubit, emri i stadiumit dhe akademisë. Në sezonin 2015-2016, vlera e sponsorizimit arriti në 75 milionë euro në vit.

A mund të ndëshkohet edhe në Premier League?
Nëse faji vërtetohet, dënimi mund të shtrihet edhe në Premier League, në formën e heqjes së pikëve nga renditja.

A ishte sanksionuar më pare  Manchester City?
Në vitin 2014, UEFA i ndëshkoi “qytetarët” me një gjobë prej 55 milionë euro, duke kufizuar koston e sjpenzimeve për nënshkrime deri më 2015.

A ka ndonjë lidhje me këtë rast edhe PSG?
CAS vendosi që UEFA nuk mund të rihapte një çështje tashmë të mbyllur nga vetë organet sanksionuese. Klubi francez, si të gjithë ata që kanë kaluar nëpër dhomën e lartpërmendur të gjykimit, është ende i monitoruar. 

(Kosova Sot Online)