Milani dëshiron ta mbajë Rebicin

  • 15 February 2020 - 13:50
Milani dëshiron ta mbajë Rebicin

Drejtuesit e Milanit, Paolo Maldini dhe Zvonimir Boban, pritet të mbajnë negociata me drejtuesit e Eintracht Frankfurtit për transferimin në mënyrë permanente të Ante Rebicit.

Ante Rebic u transferua në Milan në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës së kaluar, mirëpo në fillim e pati të vështirë të gjente vend në formacionin e parë të kuqezinjve këtë sezon.

Megjithatë, në javët e fundit, Rebici ka arritur ta zë vendin e tij në formacionin e parë të Milanit dhe ia ka shpërblyer besimin trajnerit Stefano Pioli me disa paraqitje mbresëlënëse.

Vetëm mbrojtësi i krahut të majtë, Theo Hernandez, ka shënuar më shumë gola sesa Rebici gjatë këtij sezoni. Megjithatë, francezi ka pothuajse dyfish më shumë minuta lojë për Milanin.

Calciomercato raporton se Milani tani është i bindur nga paraqitjet e kroatit dhe drejtorët Maldini dhe Boban do t’i fillojnë së shpejti negociatat me përfaqësuesit e Eintracht Frankfurtit për ta siguruar një marrëveshje permanente për Rebicin.

Rebici u transferua në formë huazimi për dy sezone, ndërsa Andre Silva shkoi në shkëmbim te Frankfurti. Megjithatë, për shkak se marrëveshja u arrit në ditën e fundit të merkatos, klubet nuk patën kohë ta vendosin një cmim si opsion për blerje për lojtarët e njëri-tjetrit.

Megjithatë, Milani tani dëshiron ta marrë në formë permanente Rebicin dhe për ta arritur këtë qëllim do të duhet të negociojë me gjermanët. 

(Kosova Sot Online)