Klopp reagon ndaj lajmit për përjashtimin e Manchester City nga Liga e Kampionëve

  • 16 February 2020 - 08:55
Klopp reagon ndaj lajmit për përjashtimin e Manchester City nga Liga e Kampionëve

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka thënë se ndien keqardhje për Pep Guardiolën dhe lojtarët e Manchester City, për shkak të përjashtimit të klubit të tyre nga garat evropiane.

UEFA e pezulloi City’n nga pjesëmarrja në garat evropiane për dy vjet, për shkelje serioze të rregullave të fair-play’t financiar.

City planifikon të ankohet ndaj vendimit të UEFA-s dhe i ka 10 ditë kohë për ta çuar këtë çështje në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. 

“U trondita kur e dëgjova lajmin. Mund ta parafytyroj sa e vështirë është për ta në këtë moment”, tha Klopp.

“Nuk ia kam idenë sesi funksionojnë këto gjëra – por çfarë mund të them unë është se nën udhëheqjen e Pep Guardiolës, Manchester City luan futboll sensacional. Gjithmonë e kam adhuruar futbollin e tyre”, shtoi gjermani.

“Të jem i sinqertë me ju, më vjen keq për Pep dhe lojtarët, sepse, natyrisht ata nuk kanë bërë asgjë të keqe. Ata thjesht kanë luajtur futboll dhe atë futboll sensacional. Pep i ka ndihmuar ligës ta përmirësojë futbollin”, theksoi Klopp.

(Kosova Sot Online)