Young: Interi mbetet në garë për titull

  • 17 February 2020 - 09:35
Young: Interi mbetet në garë për titull

Ashley Young thotë se Interi mbetet në garë për titullin e Serie A, përkundër humbjes nga Lazio (2-1) dhe zhvendosjes në vend të tretë në tabelë.

Mbrojtësi anglez shënoi golin e parë për zikaltrit në Stadio Olimpico, mirëpo vendasit u rikthyen me dy gola për ta përmbysur rezultatin duke e fituar ndeshjen në tërësi. Në këtë mënyrë, Juventusi qëndron lider me 57 pikë, i ndjekur nga Lazio me 56 dhe më pas Interi me 54 pikë.

“Është fakt që e humbëm ndeshjen dhe do të dëshiroja të mos kisha shënuar unë dhe të kishim fituar, por ashtu ndodhi”, ka deklaruar Young për Sky Sport Italia.

“Kemi edhe shumë ndeshje përpara, duhet ta tejkalojmë shpejt këtë dhe të përgatitemi për takimin e radhës”.

“Natyrisht se akoma jemi në garë, ka shumë ndeshje, shumë pikë për t’u marrë dhe jam i sigurt se do të kthehemi te fitoret”, ka shtuar lojtari i Interit.

(Kosova Sot Online )