Liverpooli ia vë syrin dyshes së Manchester Cityt

  • 18 February 2020 - 08:47
Liverpooli ia vë syrin dyshes së Manchester Cityt

Mesfushori belg Kevin De Bruyne dhe qendërmbrojtësi francez Aymeric Laporte – të dy pjesë e skuadrës së Manchester Cityt – janë nën radarin e Liverpoolit.

Mediumi spanjoll Don Balon raporton se Liverpooli është duke e shqyrtuar mundësinë e transferimit të dyshes së Manchester Cityt – Kevin De Bruyne dhe Aymeric Laporte.

Përjashtimi i Manchester Cityt nga garat evropian dhe rrjedhimisht humbja e përfitimeve të Ligës së Kampionëve i ka nxitur spekulimet se klubi mund të detyrohet t’i shesë lojtarët kryesorë për të mos shkelur rregulla të tjera për ndershmëri financiare.

Megjithatë, Raheem Sterling dhe Pep Guardiola tashmë e kanë konfirmuar përkushtimin e tyre ndaj Manchester Cityt dhe klubi synon ta apelojë vendimin e  UEFA-s. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit besohet se s’do t’i lejojnë dy yje të skuadrës të largohen e veçanërisht jo te një rival i Premierligës.

Manchester City u përgjigj ndaj vendimit të UEFA-s duke insistuar se ishin të zhgënjyer por jo të befasuar nga dënimi që iu dha dhe bënë të ditur se janë të përgatitur ta dërgojnë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Sipas burimeve të ESPN, Guardiola është shumë i qetë pasi që beson se dënimi do të zbutet nga CAS-i, por shqetësohet se lojtarët do të duan të largohen për shkak të mospjesëmarrjes në garat evropiane.

Spanjolli është i bindur se shkeljet që Manchester City i bëri kishin ndodhur para se të vinte ai në Etihad, ndërsa klubi do të mbajë takim urgjent së shpejti për të vendosur për të ardhmet e personave që janë përmendur për shkeljet e rregullave të ndershmërisë financiare (FFP) të UEFA-s.

(Kosova Sot Online )