Solskjaer përgjigjet pas kritikave nga agjenti i Pogbas

  • 18 February 2020 - 10:58
Solskjaer përgjigjet pas kritikave nga agjenti i Pogbas

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka bërë të ditur nuk e ka plan të flasë me mesfushorin Paul Pogba për komentet e agjentit të tij, Mino Raiolas, në rrjete sociale.

Manchester Unitedi e mposhti Chelsean me rezultat 2:0 në Stamford Bridge të hënën, falë golave të shënuara nga Anthony Martial dhe Harry Maguire, të cilët ia dhanë Djajve të Kuq tri pikët e derbit në Londër.

Pogba, i cili është ende i lënduar, mungoi edhe në këtë ndeshje. Megjithatë, ai ishte në qendër të vëmendjes pasi që agjenti i tij, Raiola, e kritikoi trajnerin Solskjaer përmes llogarive të tij në rrjete sociale.

“Pauli s’është i imi dhe pa dyshim që s’është as i Solskjaerit, Pauli është i Paul Pogbas. Ka kohë që në Britani të Madhe dhe në botë s’mund ta kesh në pronësi një njeri. Shpresoj që Solskjaer nuk po sugjeron që Paul është i burgosuri i tij”, shkroi Raiola, pasi Solskjaer tha se është i sigurt që ylli francez ishte “lojtari i yni e jo i Minos”.

Solskjaer bëri të ditur se nuk do të flasë me Paul Pogban për komentet e agjentit të tij, përderisa shtoi se ai do të fliste direkt me Raiolan e jo përmes mediave.

“A do të flas për këtë me Paulin? Me gjasë jo. Jo, unë s’bëj gjëra të tilla. Pauli dhe Mno i kanë bisedat e veta. Unë s’kam nevojë as të komentoj përmes mediave për ato që i ka thënë Mino. Mund të flas vetë me të”, ka thënë Solskjaer.

“Ju e dini si janë mediat dhe nuk mund t’i kontrollosh ato. Gjithkush ka zë dhe mendim. Disa gjëra thuhen për ne dhe ne dëshirojmë të komentojmë, por e dimë që është më mirë të mos e bëjmë. Është më e mençur të mos komentosh shumë gjëra”.

“Paul Pogba pritet të kthehet në stërvitje nesër, kështu që le ta shohim se si është ai”.

Raiola tha javën e kaluar se ai dhe Pogba do të vendosin nëse fituesi i Kupës së Botës do të mbetet në Old Trafford në fund të sezonit, pasi kishte thënë edhe se mesfushori s’do të ishte kundër një transferimi në Juventus.

(Kosova Sot Online)